Ymeri-Veselit: Vetëvendosje në Prishtinë i dha fund krimit dhe korrupsionit

17.09.2016 14:18:22

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, i cili sot gjatë një konference ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk po e meriton këtë udhëheqje që ka.

Ymeri në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se Vetëvendosje sikurse e ka çliruar Prishtinën, të njëjtën do ta bëj me gjithë Kosovën.

Ai ka thënë se deklarata e Veselit është pak e vonuar, sepse siç ka shkruar Ymeri, qeverisja nuk mund të pranoj që VV po i jep fund krimit dhe korrupsionit.

Lexoni postimin e plotë të Ymerit në Facebook:

Njeriu i nëntokës, Kadri Veseli, paska deklaruar se Prishtina nuk e meriton udhëheqjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ky deklarim duket të jetë pak i vonuar sepse koka e krimit në Kosovë nuk mund ta durojë dot një qeverisje që i jep fund krimit e korrupsionit, që nuk e lejon asnjë keqpërdorim, që ndalon çdo ndërtim pa leje, që vendos rregull e rend në administratë dhe çdo institucion që e mbikëqyrë, që është transparente në punësim dhe çdo vendim, që punon për barazi, etj.

Prishtina me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me kryetarin Shpend Ahmeti në krye, sigurisht që do të vazhdojnë me përkushtim maksimal angazhimin që Prishtinën të ia kthejnë qytetarit. Si dhe, bashkarisht do të angazhohemi për një sistem të drejtësisë të pavarur që ia tregon vendin Kadri Veselit dhe kryetarëve të komunave nga partia e tij, me akuza nga më të ndryshmet. Për drejtësi që i jep fund klanit Pronto.

Prishtina po çlirohet! Do ta çlirojmë gjithë Kosovën!