Yuri Kim takoi kryeministrin Rama, reagon ambasada amerikane dhe zbardh bisedën ‘kokë më kokë’: Një bastion më i fortë sigurie!

31.01.2020 13:22:10

Kryeministri Edi Rama ka pritur në zyrën e tij ditën e sotme Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim.

Pas takimit ka reaguar Ambasada e SHBA në Tiranë e cila thotë se gjatë takimit Kim ka shprehur mbështetjen të ndihmojë Shqipërinë për tu bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie.

Ndërkaq në njoftim thuhet se Kim i ka premtuar kryeministrit mbështetje për zhvillimin demokratik dhe sigurimin e zbatimit të duhur të reformave në drejtësi si dhe rritjen e mundësive të biznesit për shqiptarët dhe amerikanët.

“Në vizitën e sotme prezantuese me Kryeministrin Rama, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim pati mundësinë të përvijojë prioritetet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri: të ndihmojë Shqipërinë për tu bërë një aleate më e aftë në NATO dhe një bastion më i fortë sigurie; mbështetje për zhvillimin demokratik dhe sigurimin e zbatimit të duhur të reformave në drejtësi; dhe rritjen e mundësive të biznesit për shqiptarët dhe amerikanët.

Ajo falenderoi Kryeministrin për përpjekjet e jashtëzakonshme të Shqipërisë në çuarjen përpara të prioriteteve tona të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Pak minuta më parë në lidhje me takimin ka reaguar edhe vetë kryeministri Rama i cili tha se në fokus kanë qenë prioritetet e përbashkëta të dy vendeve aleate.

“Takimi i mirëseardhjes së ambasadores amerikane Yuri Kim me fokus në prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate. Koinçidencë e bukur mbledhja e mëpastajme e qeverisë, ku kaluam paketën AntiKÇK&Ligjin Special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar”, shkruan Rama.