Zaev: I dua të gjitha partitë shqiptare në qeveri!

22.05.2017 20:23:56
Mandatari Zoran Zaev sot në Tetovë ka takuar kreun e LR PDSH-së Zijadin Sela dhe atë të BDI-së Ali Ahmeti.
Zaev pas takimeve theksoi se me liderët e partive shqiptare bisedimet janë në fazën e ndarjes së resorëve. Megjithatë sipas tij është shumë e rëndësishme kualiteti i emrave që do të drejtojnë resoret.

“Në përgjithësi kemi thënë se deri ku ka gatishmëri rreth resorëve. Por e gjithë kjo mund të bije në ujë në rast se nuk kemi kuadro kualitativë. Kualiteti është para së gjithash dhe unë jam i lumtur që të gjithë partnerët potencial në shumicën e re parlamentare dhe qeveritare i japin përparësi kualitetit të kuadrove. Kjo është pjesa më e rëndësishme”- deklaroi Zaev.

Zaev shtoi gjithashtu se qëllimi tij si mandatar është që në kabinetin e qeveritar të përfshi të gjitha partitë që siguruan nënshkrimet për marrjen e mandatit.

“Ne bisedojmë me të gjithë dhe qëllimi jonë është që të gjithë 67 të cilat i kanë dhënë partitë të jenë pjesë e qeverisë së re. Shanset janë të hapura për të gjitha partitë dhe besoj se edhe shanset e tyre drejt nesh janë të hapura. Qëllimi im është ashtu siç thashë, të gjitha partitë nënshkruese të jenë pjesë e qeverisë”- shtoi kreu i LSDM-së për Alsat.

Zaev theksoi se në mesin e kushteve të cilat partitë shqiptare i kanë përcaktuar dhe që janë të pranueshme edhe për atë si mandatarë është integrimi në NATO dhe BE, sundimi i të drejtës dhe shtetit ligjor, zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, vendime konsensuale, përgjegjësia e qeverisë etj.

Zaev do të takojë edhe kreun e Lëvizjes Besa për të marrë edhe qëndrimin edhe të kësaj partie lidhur me pjesëmarrjen apo jo në qeverinë e ardhshme.