Zafir Berisha: Për 140 euro, po duan të më eleminojnë nga gara për Prizrenin

11.09.2017 15:44:53
Kandidati për kryetar të Prizrenit nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha ka drejtuar akuza të rënda te Komisioni Qendror Zgjedhor pasi ai mund të decertifikohet nga zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

 

Berisha në një deklaratë , ka thënë se dënimi prej 140 euro në vitin 2015 është arsyeja që mund të decertifikohet, edhe pse shton se me këtë dënim ka qenë në garë për deputet para tre muajve.

“Prej që është privatizuar KEK-u vazhdimisht më bën presion. Në vitin 2015 e kam një dënim prej 140 eurosh dhe kjo është arsyeja për ‘dëmin e madh dhe shkeljen e madhe të ligjit që e kam bërë’,  që Valdete Dakës dhe banditëve prapa saj ju ka ra ndërmen. Përndryshe edhe para tre muajve kam qenë me qeto ligje në garë”, ka deklaruar deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës.

Ai tutje ka thënë se kjo është një skenar politik që ai të eliminohet nga zgjedhjet lokale për kryetar të Prizrenit.

“Synimi është që unë të eliminohem, që bandat e Hashim Thaçit me qenë më të sigurt në fitoren e  22 tetorit në Prizren kjo është alfa dhe omega e gjithë këtij problemi. Në këtë vendin tonë sipas logjikës së Valdete Dakës edhe atyre që e kanë shti bën me i vjedhë 30 milionë euro, por s’bën të bësh dëm 140 euro”, ka shtuar Berisha për lajmi.net

Kandidati për Prizrenin ka thënë se ai më herët ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për këtë çështje, por e cila nuk i ka kthyer përgjigje.

“Për këtë punë e kam ankesën në Gjykatën e Apelit  qëllimisht është një skenar i pagatitur politik, pasi unë kam bërë ankesë për këtë dënim në Apel, dhe gjykata s’ka kthyer përgjigje” ka përfunduar Zafir Berisha.

Vendimi final i KQZ-së për kandidatët që kanë probleme me ligjin merret gjatë ditëve në vijim.