Zana Çela: E vërteta e grevës së artistëve kundër Ramës

23.11.2016 10:35:09

Intervistë ekskluzive me drejtoren e përgjithshme të Teatrit të Operës dhe Baletit, Zana Çela, e përzgjedhur nga Edi Rama, pas konkurrimit të platformave të gjashtë kandidatëve; rrëfen për herë të parë çfarë ndodhi në grevën unike të artistëve në vitin 2000. Si do të ndryshojë dhe kur do të jetë gati godina e rikonstruktuar e Teatrit të Operës

Intervistoi: Violeta Murati

Si e shikoni këtë rikthim tuajin në krye të Operës, nostalgji apo…?

Sigurisht ky është një vlerësim i madh për kontributin që unë duhet të jap në një fushë të caktuar të zhvillimit të kulturës shqiptare.

Kishit ndonjë arsye, ose të paktën na e thuaj një argument, pse kandidove për të qenë sërish në krye të Operës, ju pati mbetur ndonjë “peng” ose punë e pakryer kur ishit më parë drejtuese?

Të drejtosh Teatrin e Operës dhe Baletit sidomos në një vend ku ky teatër është i vetmi që përfaqëson gjithë shqiptarët, është një përgjegjësi e madhe, detyrat e së cilës asnjëherë nuk mbarojnë pavarësisht eksperiencës dhe kontributit të çdo drejtuesi ndër vite. Opera është një nga institucionet themelore të konstitucionit shpirtëror të një vendi. Ashtu si një shtet nuk mund të bëjë pa një parlament, pa një qeveri, apo pa institucionet e tjera të shtetit, jeta ka vërtetuar se po aq, një komb nuk mund të bëjë dot edhe pa operën. Nisur nga ky fakt, të japësh kontributin për të zhvilluar më tej të ardhmen e TKOBAP është vërtet një peshë shumë e madhe, një impenjim dhe vlerësim shumë i madh.

Mbas ’90-s cili nga personalitetet që e kanë drejtuar mendoni se i kanë dhënë Operës zhvillim apo e shikoni të mbetur këtë institucion në të njëjtin stanjacion kur ishit ju?

Çdo personalitet që ka drejtuar TKOBAP ndër vite, ka lënë gjurmën e kontributit të tij, e ky kontribut në radhë të parë vlerësohet nga artistët e këtij institucioni dhe nga publiku që ndjek çdo shfaqje të tij, dhe më pas është historia e këtij institucioni ajo që bën vlerësimet e sakta. Nuk do guxoja të bëja vlerësime të tilla apo të përcaktoja se cili prej tyre ka dhënë kontribut më të madh ose cili duhet të jepte akoma më shumë.

Në fillim të viteve 2000 pati një precedent, që përkoi me ju si drejtuese e TOB, ishte greva e artistëve, unike që kundërshtonin “ligjin” e ministrit të atëhershëm të Kulturës, sot kryeministër, Ramës. Çfarë ka mbetur te ju, si gjurmë nga ajo përvojë?

-Në fakt kjo është një histori që është thënë e rithënë disa herë. Ajo ishte një histori që lidhej me një ligj i cili kishte gjashtë muaj përpara se unë të filloja punën, që ishte dërguar në parlament për t’u shqyrtuar. Pra, ishte një ligj i draftuar kohë përpara, nga ish-drejtuesit e tjerë të sistemit teatror, jo vetëm të Teatrit të Operës, por edhe Teatrit Kombëtar. Unë nuk kisha pjesë autorësie në atë ligj, as edhe një kapitull, asnjë rresht dhe asnjë fjalë të tij. Ishte rastësi që draftit të atij ligji iu rikthye diskutimi dhe mendimi oponent pikërisht në atë kohë që përkonte me muajt e parë të punës sime si drejtuese e këtij institucioni, por jo si autorja e këtij ligji. Pra, dua ta sqaroj mirë këtë gjë, pasi kapituj të veçantë të këtij ligji të cilat i takonin Teatrit të Operës dhe Baletit i kishte propozuar ish-drejtori, zoti Vaso Tole. Për t’u kthyer te pyetja juaj çfarë ka mbetur si gjurmë, them se ka qenë një eksperiencë e tillë që më aftësoi të dija të menaxhoja edhe situata të tilla të vështira që edhe pse nuk ishin shkaktuar si pasojë e menaxhimit dhe drejtimit tim personal, ato ngjarje ishin testi më i vështirë dhe më i suksesshëm sa i përket qetësisë së menaxhimit të situatave dhe vendimmarrjeve të cilat stabilizuan kalendarin e shfaqjeve dhe për pasojë rriten të ardhurat e të gjithë artistëve dhe çdo punonjësi të TKOBAP, që ishin të angazhuar në këtë institucion në atë periudhë.

-Por kjo situatë a nuk iu riskoi imazhin, pasi u ndërpre premiera e “Norma”, u përjashtuan nga opera pesë artistë, të tjerët dolën në rrugë në një grevë unike që pavarësisht ligjit, iu dha të drejtë artistëve…?

-Çdokush që merr angazhime të drejtojë ekipe të mëdha siç është ky i TKOBAP, sigurisht merr parasysh edhe risqe, të cilat mund të jenë ndonjëherë po kaq të mëdha. Sa i përket imazhit, asnjëherë nuk kam menduar se kam riskuar imazhin tim, përkundrazi ajo problematike e vështirë nxori në pah një pjesë tjetër të profilit tim, si një menaxhere që di të drejtojë me drejtësi dhe korrektesë ligjore dhe me një vlerësim maksimal për vlerat artistike të skenës së TKOB. Kur e them këtë, kam parasysh se, çdo gjë që ndodhi në atë kohë kishte të bënte vetëm me rritjen e nivelit artistik të TKOB, me rritjen e obligimit tonë karshi publikut për të dhënë maksimumin tonë për shfaqjet e kalendarit të këtij teatri, dhe këtu dua të sjell në vëmendje atë pjesë të ngjarjeve që kishin lidhje vetëm me stabilizimin e kalendarit artistik të Teatrit dhe jo me draftin e Ligjit. Ishte hera e parë në historinë e këtij institucioni që prezantohej një kalendar vjetor i cili për t’u zbatuar kërkonte kontributin e të gjithë artistëve dhe jo vetëm të disa stafeve artistike, dhe sigurisht disa nga artistët e ekipeve artistike nuk ishin komfort me një kalendar të tillë pasi deri në ato momente Teatri nuk kishte patur kalendar vjetor e për rrjedhojë artistëve iu lindte e drejta të shkëputeshin nga puna, të punonin diku jashtë, ndërkohë që vazhdonin të paguheshin nga Teatri. Për të qenë koherent me ngjarjet dua t’ju korrigjoj e t’ju them se e mbani mend gabim sepse opera Norma nuk u ndërpre, përkundrazi premiera e saj u realizua në ditën kur ishte planifikuar në kalendar, por me piano, me pjesëmarrjen e trupës së korit dhe solistëve stafit të skenës dhe teknikës gjithashtu. Nuk më takon mua të jap vlerësimin tim për këtë ngjarje megjithëse një vlerësim e kam, por publikut i cili nuk e braktisi shfaqen siç thoni ju, përkundrazi kujtoj se salla ishte e mbushur plot dhe në mbyllje kishte duartrokitja të gjatë të shoqëruara me ovacione.

Ju drejtuam pyetjet e mësipërme, pasi është e natyrshme edhe disi e çuditshme kandidimi dhe pranimi nga ana juaj e postit në krye të TOB, për shkak se edhe tani ka një moment që duket i njëjtë. Ju vini në një kohë kur u largua me bujë nga puna Ilir Kerni, kur pati një revoltë jo aq të fortë, por gjithsesi rebelim nga artistët se punët në opera s’po shkojnë si duhet. Ju i trembeni kësaj situate, se mund të përsëritet historia, ndoshta në formë tjetër?

Sigurisht çdo njeri reagon në mënyrë personale për një drejtues institucioni që mund të ketë qenë edhe një drejtues shpirtëror dhe ndoshta idhull kur ai largohet duke dhënë dorëheqjen. Mendoj që është komplet normale që balerinët që kanë punuar me Ilirin dhe që kanë pasur rezultate nga puna e tij, sigurisht ndjenin brenda vetes një keqardhje. Unë personalisht, nuk e kam lexuar si revoltë këtë situatë, por si një situatë ku disa nga artistët shprehnin mirënjohjen e tyre për punën dhe kontributin që zoti Kerni kishte dhënë për këtë Teatër. Sepse edhe sikur të donin të shprehnin një revolte ata nuk kishin kujt t’ia drejtonin përveçse vetë Ilirit, i cili vendosi të largohej. Për të vazhduar më pas përgjigjen tjetër, absolutisht nuk më ka shkuar asnjëherë mendja se mund të ndodhesha me rikthimin tim në një situatë të vështirë. Përkundrazi, nuk kisha menduar këtë tjetrën, që artistët të më prisnin me aq duartrokitje dhe ovacione. Sinqerisht ishte diçka që jo vetëm më emocionoi por edhe më befasoi pasi duartrokitjet jam mësuar t’i marr në skenë gjë që do të thotë se veprimi flet vetë më shumë se sa fjala dhe ky veprim nga ana e tyre mi ka shumëfishuar detyrat që duhet të realizoj dhe veçanërisht objektivin kryesor –bashkëprodhimin e titujve operistike me teatrot e tjerë europiane.

Në listën e emrave që ishin kandidatë për drejtues të TOB ishte dhe tenori Josif Gjipali, i larguar në Itali prej kohës kur ju drejtonit këtë institucion, me sa kujtojmë keni pasur një incident së bashku. Si i keni marrëdhëniet tani, a do ta ftonit të këndonte në Opera?

Unë me Josifin, jo vetëm që nuk kam pasur incident, dhe ju lutem korrigjojeni këtë konstatim sepse e kam lexuar dhe diku tjetër, por unë personalisht kam qenë drejtuesja e parë që i kam dhënë përkrahjen Josifit të interpretojë në skenën e Operës, sepse e vlerësoja talentin e tij edhe pse ai ishte ende student në atë kohë dhe ne, i besuam rolin kryesor në operën “Norma”.

Josifi pasi fitoi çmimin e parë në një festival ndërkombëtar që organizohej në Itali, fitoi dhe kontratat e njëpasnjëshme me teatro në Itali dhe vende të tjera të Europës. Kthimi i skenës së TKOB në skenë e artistëve ekselente kudo që ata janë është dhe objektivi tjetër kryesor i platformës sime të menaxhimit. Këtë rritje artistike ne do ta realizojmë të gjithë së bashku duke kontribuar secili prej nesh me pasion dhe dashuri të fortë për skenën e vetme shqiptare të TKOBAP. Josifin dhe të gjithë artistët shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë i kam ftuar me shumë këmbëngulje të bëhen pjesë e shfaqjeve tona sa herë që ata ta kenë të mundur e gjejnë hapësira në kalendarët e teatrove ku interpretojnë.

Në fakt dihet se artistët janë komuniteti më i vështirë për t’u “drejtuar”, pse janë etiketuar të “padisiplinuar” …! Ju si i keni marrëdhëniet me ta? Çfarë keni gjetur të ndryshuar aty?

Unë nuk e kam fare këtë opinion sepse artistët janë shumë të disiplinuar. Madje artistët në raport me pjesën tjetër të shoqërisë, janë njerëz që profesioni i tyre i disiplinon në mënyrë të detyrueshme që në klasë të parë, sepse gjithë jeta e tyre kalon në disiplinë oraresh të caktuara, disiplinë jetese të përcaktuar të një korrektësie të ditës dhe jetës së tyre, për arsye se ata duhet të dalin në mbrëmje në skenë. Pra, duhet të jenë jashtëzakonisht të programuar duhet të ndjekin një axhendë shumë qetësuese. Dhe kjo i bëhet si karakter i dytë, si diçka e brendshme. Por artistët kanë një gjë, ata kërkojnë disiplinë edhe nga stafet drejtuese. Kjo do të thotë që stafet drejtuese duhet të jenë të aftë që të bëjnë politika menaxhimi të tilla, të cilat orientojnë qartë e saktë çdo artist, çdo sektor që punon në këtë institucion, pra disiplina nis nga ata që drejtojnë. Artistët bëhen sigurisht rebelë kur nuk ka një disiplinë të organizimit të punës në institucion.

Ka një disnivel në pagesën e artistëve shqiptarë në raport me ata të huajt, që ftohen. Kemi dëgjuar shuma marramendëse deri në 3 mijë euro. A është normale kjo sipas jush, dhe a do ta rregulloni këtë situatë që edhe artistët shqiptarë të mos ndjehen të frustruar, apo inferior?

Ju besoj po flisni për krahasimin e artistëve të huaj dhe artistëve shqiptarë që debutojnë si të ftuar, dhe jo atyre që punojnë dhe marrin rrogë sipas kategorive që përcakton rregullorja e këtij institucioni. Për këto të fundit nuk mund të flasim, pasi t’ju them të drejtën paga e artistëve është e një niveli të mirë, krahasuar me institucionet e tjera. Unë shikoj se sistemi i pagave ka ndryshuar për mirë në krahasim me vitin 2003, ku rroga e drejtorit ishte 37000. Sigurisht çdo gjë ka ndryshuar, që lidhet me standardet. Sistemi i pagesave në sistemet e huaja nuk është në dorë të Teatrit të Operës apo të Ministrisë se Kulturës, honorari tyre është një çmim tregu dhe agjencitë e huaja që menaxhojnë artistët kanë çmimet e tyre dysheme dhe tavan. Mesa di unë Teatri i Operës ka punuar me çmime dysheme të këtyre agjencive. Ajo çfarë duhet të bëjmë ne është rritja e nivelit të stafit të solistëve tanë. Por gjithmonë do të kemi kontrata me artistë të huaj, sepse siç e dimë Opera është internacionale, është globale.

Ishte politik emërimi juaj? A mjafton argumenti vetëm pse ju keni qenë një herë drejtuese e saj, kur nuk keni një të kaluar artistike në Opera?

Kush ju tha se drejtuesi i Teatrit të Operës duhet të jetë artist? Nëse shikoni CV e drejtuesve të teatrove kryesore të Evropës do gjeni se 90% prej tyre nuk janë artistë. Pyetja juaj bie poshtë në këtë rast. Ndërsa sa i përket pjesës së parë nëse ishte emërim politik, -unë them se, përzgjedhja e seleksionimi i drejtorit të Operës ndoshta është seleksionimi i parë i një posti të tillë që është bërë në mënyrë kaq transparente, kaq mediatike, madje me prezencën e medias. Ishte një proces konkurrimi, morën pjesë gjashtë persona, gjashtë kandidatë e platforma ime ishte më e kompletuara, më dinjitoze mes platformave të tjera. Procesi i konkurrimit u zhvillua në Ministrinë e Kulturës përpara një paneli seleksionimi. Këtu sigurisht nuk flitet për vendimmarrje politike.

-Është një mendim që po qarkullon, ose unë të paktën kam ndjesinë se, ju jeni emëruar që Rama të përmbushë “strategjinë” e tij për Operën, ose të çojë “nderin” në vend, pas asaj që i ka ndodhur në 2000 me artistët. Në fakt pyetja lidhet me rikonstruksionin e Operës. Disa zëra thonë se Kerni u largua se nuk ishte dakord me projektin. Ju e keni parë këtë projekt të ri të operës, a jeni në dijeni se çfarë do të ndodhë në të?

Sa i përket projektit të operës, di që zoti Kerni ka qenë pjesë e projektit të Operës, pjesë e komisionit, megjithatë nuk mund të jem fare e sigurt, pasi nuk kam qenë prezent që ta vërtetoj këtë. Sa më takon mua, ju them se jam në dijeni për gjithë projektin pasi isha në ceremoninë e prezantimit. Sigurisht ata që kanë bërë projektin kanë ardhur në Opera na kanë prezantuar çdo detaj. Unë kam vlerësimin maksimal për këtë projekt dhe me thënë të drejtën, jo thjesht u habita por u mahnita. Kjo nuk është një fjalë e thënë nga një emocion i momentit. Jam jashtëzakonisht e lumtur që shteti shqiptar ka arritur që t’i ofrojë jo vetëm komunitetit të artistëve po gjithë publikut një teatër të tillë. Është një teatër fantastik dhe të mendosh me një buxhet jo të madh të bësh kaq shumë ndryshime…Çdo gjë do ndryshohet sidomos sa i përket pajisjeve të teknikës dhe përmirësimit të akustikës së Teatrit, edhe është shumë e rëndësishme të thuhet se, gjithë aparaturat teknike, fonia, ndriçimi, skena e deri te platforma e orkestrës, mekanizmat e skenave, atelietë e dekoreve dhe kostumeve do ribëhen dhe pajisen me aparaturat apo pajisjet e prodhimit, është një projekt i mrekullueshëm.

-A do ta kundërshtonit Ramën nëse ky projekt nuk merr pritshmërinë artistike, e mbi të gjitha t’i shërbejë Operës? Është rasti kur doli një foto që u quajt si sallë për koncerte filarmonie…

Nuk kam çfarë të kundërshtoj sepse projekti i sallës nuk është sallë koncertesh. Studio e projektimit në momentin e pare të prezantimit, zgjodhi një foto të gabuar. Ata kishin prezantuar disa pamje kur Teatri i Operës do të kishte një shfaqje operistike, kur do të jepej një muzikal, apo një koncert…pra, kishin bërë thjesht një montim të shfaqjes në këtë skenë. Fotoja që qarkulloi në fillim ishte pikërisht montim i fotos kur Teatri i Operës do të kishte koncert sepse kur do të programohet një koncert formatohet skena në mënyrë koncertale.

-Kur do të nisin punimet, pasi është thënë se duhej të kishte nisur në Janar rikonstruksioni, dhe ende askush nuk është informuar pse është shtyrë?

Ne, deri tani kemi informacion se punimet nisin në Janar të 2017-ës.

 Shkrimi u botua së pari në revistën “Mapo”