Zbardhet vendimi / Si do paguhen gjobat për maskat në faturën e dritave, OSHEE probleme me identifikimin

02.11.2020 17:54:47

Qeveria ka bërë të ditur në fletoren zyrtare se si do të paguhen gjobat e marra për mos vendosjen e maskës nga qytetarët.

“Gjoba, e përfshirë në faturën e energjisë elektrike, do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do të mund të paguhet pjesërisht apo e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike,” thuhet në njoftim.

Megjithatë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka pasur problem pasi nuk ka gjetur numër kontrate me konsumatorin.

VENDIMI I PLOTE

UDHËZIM I PËRBASHKËT Nr. 4620, datë 14.10.2020 PËR MËNYRËN E EKZEKUTIMIT TË KUNDËRVAJTJES ADMINISTRATIVE PËR MOSPËRDORIMIN E BARRIERËS MBROJTËSE (MASKËS), NËPËRMJET OPERATORIT TË SISTEMIT TË SHPËRNDARJES SË ENERGJISË ELEKTRIKE (OSHEE)

Në mbështetje të nenit 100, të Kushtetutës dhe të pikës 23, të aktit normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID19”, të ndryshuar,

UDHËZOJMË:

1. Institucionet përgjegjëse për vendosjen e gjobës për mospërdorimin e barrierës mbrojtëse (maskës) janë Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, në përputhje me aktin normativ nr. 3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar.

2. Policia e Shtetit apo Policia Bashkiake dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes së gjobës në Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU) sh.a./ Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike GROUP (OSHEE) sh.a.  Ky procesverbal, në çdo rast, duhet të përmbajë minimalisht informacionin në lidhje me emrin, mbiemrin, atësinë, numrin e kartës së identifikimit, si dhe adresën e banimit të individit.

3. FSHU-ja, për rastet kur individët kanë kontratë furnizimi energjie, do të regjistrojë gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv.

Kur FSHU-ja konstaton se individi nuk ka kontratë furnizimi të energjisë elektrike ose të dhënat e pasqyruara në gjobë nuk janë të plota apo nuk korrespondojnë me të dhënat në sistemin e faturimit të FSHU/OSHEE, i kthen procesverbalin e gjobës, sipas rastit, Policisë së Shtetit ose Policisë Bashkiake.

4. Gjoba, e përfshirë në faturën e energjisë elektrike, do të jetë titull ekzekutiv dhe nuk do të mund të paguhet pjesërisht apo e shkëputur nga fatura e energjisë elektrike. Pagesa jashtë afateve do të shoqërohet me kamatëvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

5. Mospagesa e gjobës, si pjesë përbërëse e faturës, do ta klasifikojë individin si debitor ndaj FSHU-së dhe kontrata përkatëse e energjisë elektrike do të dërgohet për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.

6. Pagesat mund të bëhen pranë te gjitha zyrave përkatëse të përcaktuara nga FSHU-ja, pranë  Fletorja Zyrtare Viti 2020 – Numri 190

Faqe|13226 Postës Shqiptare dhe pranë çdo institucioni financiar ku paguhet fatura e energjisë elektrike.

7. FSHU-ja derdh gjithë vlerën e gjobës në buxhetin e shtetit në llogarinë e thesarit, duke përjashtuar komisionet e shpenzimeve

administrative në masën 2%. Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake rakordojnë me OSHEE-në arkëtimet periodike në llogarinë bankare në emër të OSHEE-së nga pagesat e faturave të energjisë elektrike për individët që kanë kontratë me OSHEE-në dhe i nënshkruajnë dokumentin “Faturë për arkëtim”, në të cilin është specifikuar si më poshtë:

a) kodi i rrethit Tiranë 3535;

b) kodi i institucionit për Policinë e Shtetit 1016079 në sistemin informatik financiar të qeverisë (SIFQ) ose për Policinë Bashkiake me kod institucioni 2101001 në SIFQ;

c) kodin e llogarisë ekonomike të arkëtimit

7115422 – “Gjoba për mospërdorimin e maskës nga COVID-19” në SIFQ.

8. OSHEE-ja, në bazë të rakordimit periodic paraqet në bankën përkatëse dokumentin “Faturë për arkëtim” për të kryer transferimin e shumave të vjela nga gjobat në llogarinë bankare të të ardhurave jotatimore në emër të degës së Thesarit Tiranë sipas listës bashkëlidhur të IBAN-eve.

9. Struktura përgjegjëse për Thesarin në degë dërgon postën ditore bankare dhe rakordon periodikisht arkëtimet nga gjobat me strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Ky udhëzim hyn në fuqi me menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.