Zeka: Një kompani amerikane e interesuar të prodhojë automjete ushtarake në Kosovë

16.10.2016 14:32:54

Kompanitë amerikane kanë filluar të shprehin interesim për të investuar në Kosovë, dhe çdo vit e më shumë Kosova është duke u parë si mundësi e mirë për të investuar.

Këtë e ka bërë të ditur për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, i cili ka treguar se interesimi më i madh janë  sektorët minerarë dhe ata  të gjenerimit të energjisë së elektrike. Ai i ka përmendur disa nga kompanitë amerikane, të cilat tashmë janë të njohura për opinionin për  interesimin e investimeve në vendin tonë.

Sipas tij, këto investime arrijnë shifra prej qindra milionë dollarëve, dhe pritet të krijojnë numër të madh të vendeve të punës. Zeka ka treguar edhe një rast  të një kompanie me pronësi amerikane, e cila  është e interesuar që në të ardhmen të investojë në ndërtimin e automjeteve ushtarake.

Ai ka shtuar se pritjet e Asociacionit të Biznesit nga qeveria kanë qenë shumë më të mëdha. Por që sipas tij, në Kosovë ka filluar të përmirësohet klima e bërjes biznes.

Mungesën e deritashme të ligjit për investime strategjike e ka parë si pengesë kryesore e cila ka pamundësuar që shumë biznese të zgjedhin vendet të tjera në rajon.

Po ashtu, Zeka kërkon që sa më parë të hyjnë në fuqi të gjitha ato lehtësira të cilat vendin do ta bënin atraktiv për investitorët e huaj. Ligji për investime të huaja ka hyrë në fuqi në këtë muaj, por bazuar në raportin e fundit të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vlerësimi i ekonomisë për 3 mujorin e dytë të këtij viti, thuhet  se ka rënie të investimeve të huaja.

Investimet e Huaja Direkete (IHD) të pranuara në Kosovë, deri në qershor 2016, arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015.