Zemaj: Riorganizimi shërbimeve spitalorenë trajtimin e pacientëve me COVID-19 po jep rezultate

19.07.2020 14:51:57

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë vizitës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, ka thënë se spitalet e përgjithshme po i dalin krah Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa pacientët po i marrin më afër shërbimet.

“Riorganizimi i shërbimeve shëndetësore spitalore për të përballuar numin e pacientëve që nga Covid-19 kërkojnë tretman spitalor po jep rezultate. Spitalet e përgjithshme po i dalin krah Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa pacientët po i marrin më afër shërbimet”, ka thënë Zemaj në një postim në Facebook.

“Sa po vizitova me bashkëpunëtorë Spitalin e Përgjithshëm të Pejës ku ri-organizimi ka mundësuar punë më efektive, ndërsa respekt për mjekët dhe infermierët që ishin në krye të detyrës”, ka thënë ai.

Ndryshe, nga ky spital sot është bërë e ditur se ka humbur jetën një pacient 67 vjeçar i prekur me COVID-19.

Sipas njoftimit, në  këtë spital po trajtohen 60 pacientë të konfirmuar me COVID-19 si dhe 17 të tjerë janë në pritje të rezultateve.

Nga pacientët e shtrirë në Spitalin e Pejës, 21 janë në oksigjeno-terapi dhe 8 pacientë me COVID-19 janë në gjendje më të rëndë.