“Besoj se një qeveri e tillë që formohet në këtë formë, me këtë sistem që kemi dhe me grupin e madh minoritar, nuk do të ketë jetë më shumë se gjashtë muaj. Edhe nëse opozita do të jetë e ngadaltë për të kërkuar ndryshim dhe zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk besoj se do të zgjasë gjashtë muaj”, tha Zemaj në RTV Dukagjini.
Lidhur me të ardhmen e LDK-së, ai thotë se preferon që të shkojnë në opozitë, pasi “kjo do t’i konvenonte subjektit për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme lokale”.
“Nuk është asgjë e dëmshme nëse jemi pjesë e fuqishme e opozitës, duke e ruajt edhe substancën e edhe atë trashëgim politike që kemi për ndërtimin e institucioneve të vendit. Kjo do t’i ndihmojë reformimit të LDK-së dhe në një afat shumë më të shkurt. Do të ketë zgjedhje dhe LDK do të dalë partia e parë”, tha Zemaj.
Për dështimin e LDK-së në zgjedhjet e fundit ai përmendi edhe faktin se ka pasur largime nga lista të njerëzve që kanë merituar të jenë pjesë, ndërsa shtoi se edhe elektorati nuk e duroi koalicionin me PDK-në.