Zemaj viziton Klinikën e Pulmologjisë, kërkon nga qytetarët kujdes të shtuar në respektimin e masave

21.07.2020 14:20:55

Ministri i Shëndetësisë , Armend Zemaj, ka vizituar sot Klinikën e Pulmologjisë dhe Shërbimin e dializës në Klinikën e Nefrologjisë në QKUK.

Ai me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se gjatë kësaj vizite është njoftuar nga afër me punën që po bëhet aty, si dhe angazhimet dhe sfidat, shkruan lajmi.net.

Zemaj ka shtuar se është shumë e rëndësishme që gjatë kësaj periudhe të ndjeshme të ballafaqimit me pandeminë, personeli shëndetësor ta ketë krah të fortë shtetin.

Postimi i plotë i Zemajt në Facebook:

Vizitova sot Klinikën e Pulmologjisë dhe Shërbimin e dializës në Klinikën e Nefrologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku u njoftova me punën që bëhet aty, angazhimin dhe sfidat që i ka personali shëndetësor në menaxhimin e pacientëve me patologji të ndryshme.
Është shumë me rëndësi që në këtë periudhë të ngarkesës së madhe të personelit shëndetësor me trajtimin e rasteve me Covid-19, por edhe të rasteve me sëmundje të tjera, që t’i mbështesim ata si institucione, ndërsa nga qytetarët kërkohet kujdes edhe më i madh me qëllim që puna e tyre mos të rëndohet.
Solidariteti për njëri-tjetrin nënkupton zbatimin me përgjegjësi të masave të ndërmarra dhe rekomandimeve të dhëna nga profesionistët shëndetësor.