Zëvendës Ministri i MAPL-së z. Bajram Gecaj priti delegacionin nga Republika e Hungarisë

24.04.2017 13:16:24

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka pritur në takim zyrtar delegacionin nga Republika e Hungarisë, në përbërje të z. Zoltan Kovacs, Sekretar i Shtetit të Hungarisë, z. Pilz Tamas, Udhëheqës i Departamentit, znj. Gaal Nikolett, Asistente për Zhvillim, si dhe Ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, z. Laszlo Markusz, me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, me theks të veçantë në fushën e vetëqeverisjes lokale dhe zhvillimit rajonal.


Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj, falënderoi delegacionin nga Republika e Hungarisë për vizitën e tyre në Kosovës, duke potencuar se ky takim zyrtar mundëson që dy shtetet tona mike të fuqizojnë lidhjen e tyre dhe njëkohësisht të shkëmbejnë përvojat e tyre, veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me vetëqeverisjen lokale dhe zhvillimin rajonal.


Z. Zoltan Kovacs, Sekretar i Shtetit të Hungarisë prezantoi mënyrën e funksionimit të pushtetit lokal në Hungari, duke potencuar faktin se në organizimin e saj shtetëror ka 3200 komuna dhe 19 rajone, të cilat kanë arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, si dhe në anë tjetër tregoi përvojat e tyre rreth qeverisjes lokale në Hungari dhe në raport me shtetet anëtare të BE-së.


Në fund të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi ndërshtetëror midis qeverisjes lokale në Hungari dhe qeverisjes lokale në Kosovë edhe në të ardhmen do të vazhdojë, në mënyrë që qeverisja lokale në Kosovë të zhvillohet dhe avancohet më tej, duke marrë parasysh edhe përvojat e shtetit hungarez si anëtar i Bashkimit Evropian.