Zëvendësministri i Arsimit: Procesi mësimor të fillojë qysh nesër

14.01.2019 23:47:27

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, ka thënë se numri i madh i arsimtarëve paraqet problem në vete për ngritjen e pagave për arsimtarët, pasi do të kishte implikime të mëdha buxhetore.

Geci, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se SBASHK-u ka vepruar drejt më kërkesat e saj për përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit, por mënyra ka qenë e gabuar.

“Futja në grevë duke mos mbajtur mësim, ka qenë një gabim i SBASHK-ut… Po të kishte ulje të pagave apo mos marrje të pagave nga arsimtarët, do të ishte situatë ndryshe”, tha Geci, përcjell Telegrafi.

Zëvendësministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës ka thënë se zëvendësimet e orëve mësimore nuk janë produktive dhe greva duhet të ndërpritet qysh nga nesër.

“Ne pajtohemi që SBASHK-u ka të drejtë në kërkesat e tyre, por nuk pajtohemi absolutisht me mënyrën se si po bëhet greva”, tha ai.

Geci ka thënë se Ministria e Arsimit do të qëndroj krahas SBASHK-ut në kërkesat e tyre dhe se procesi tashmë ka kaluar në Kuvend.

“Por, është e papranueshme të ndërpritet mësimi. Ndërprerja e mësimit bëhet vetëm në raste të jashtëzakonshme. Procesi mësimor duhet të fillojë qysh nesër”, tha Geci.