Partia Demokratike, përmes ish-deputetes Oriola Pampuri e konsideron skandal të madh atë që ka ndodhur në 30 qershor në Elbasan. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri publikoi prova që sipas saj tregojnë se si u shtuan nga KQZ-ja 3 mijë vota më shumë për kandidatin në Elbasan se sa u gjendën fletë votimi në kuti.
“Nga nxitimi për të mbuluar skandalin, KQZ-ja publikoi dje një dokument tjetër me të dhëna të ndryshuara, duke fshirë shtesën e 3 mijë votave te kandidatit socialist mbi fletët e gjendura në kuti. Mediat e morën këtë informacion nga Taulant Balla, i cili publikoi i pari në Facebookun e tij linkun e KQZ-së me të dhënat e ndryshuara për Elbasanin. Në fakt, ajo që ka ndodhur në të vërtetë, është që ky dokument i falsifikuar është prodhuar fillimisht nga Taulant Balla dhe më pas është hedhur në faqen e KQZ-së, duke e faktuar atë jo si një institucion në shërbim të votës së qytetarëve, por në shërbim të matematikës hajdute të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Më konkretisht, facebook-u i Taulant Ballës dhe faqja e KQZ-së na ndihmojnë për të bërë transparencë për shpërdorimin e detyrës nga KQZ dhe fallsfikimin e dokumentave nga Taulant Balla për të mashtruar qytetarët.
Ky është një rast skandaloz që e vendos KQZ-në në pozitën e një fasoni, që punon me materiale gjysëm të gatshme, të cilat i vijnë nga zyra e Edi Ramës dhe bandës së tij”,- sqaroi Pampuri. Demokratja tha se Partia Demokratike do të padisë si Taulant Ballën ahstu edhe Denar Bibën, për këtë skandal, por edhe të tjerë persona të përfshirë.