Zgjedhjet në Serbi/ Përfundon procesi i votimit, u votua dhe në Kosovë

21.06.2020 22:36:41

Serbia mbajti sot Zgjedhjet e Përgjithshme, ku u votua edhe në vendet me shumicë serbe në Kosovë. 6.5 milionë banorë votuan për parlamentin e ri që përbëhet nga 250 deputetë.

U votua gjithashtu edhe për përbërjen e re prej 120 anëtarësh të Kuvendit të krahinës autonome të Vojvodinës. Në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, 5 partitë shqiptare garuan për herë të parë në një listë të përbashkët.

OSBE grumbulloi votat e shtetasve serbë në Kosovë, të cilat do të dërgohen më pas në Vranjë dhe Rashkë për numërim. Mediat vendase raportojnë se në Kosovë kanë pasur të drejtë vote rreth 95 mijë qytetarë. Megjithatë këtë formë votimi e transportimi votash nga Kosova, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka cilësuar jo-kushtetuese.

Këto votime u kryen në një kohë kur në Kosovë po ka shtim të të prekurve me Koronavirus.