Zhduken 4 femra të mitura në Kosovë

15.09.2016 11:04:14

Katër femra janë raportuar si të zhdukura gjatë 48 orëve të fundit. Rastet janë raportuar në rajone të ndryshme dhe sipas policisë deri më tani vetëm njëra prej tyre është gjetur.

Sipas policisë, në Vushtrri prindi ka raportuar se vajza e tij e moshës së mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk di asgjë për vendndodhjen e saj.

Kurse në Dardanë të Ferizajt, një femër ka informuar policinë se motra e saj ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet se nga ka shkuar dhe ku gjendet.

Ndërsa në Mitrovicë, po ashtu një prind ka raportuar në polici se vajza e tij e moshës së mitur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet ku ndodhet.

Të tria këto raste janë duke u hetuar nga njësitet përkatëse të policisë.

Ndërsa në fshatin Llozhan të Pejës, lidhur me rastin e ndodhur kohë më parë, viktima femër Kosovare/Egjiptiane e mitur së bashku me të dyshuarin mashkull Kosovar/Ashkali, me 14.09.2016 janë paraqitur në stacionin policor dhe kanë njoftuar se ata me vetëdëshirë ishin duke bashkëjetuar. Pasi që viktima ishte e moshës së mitur e njëjta është kthyer te prindërit e saj, ndërsa i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.