“Zhduket” Saimir Tahiri, e kujton vetëm PD!

31.03.2018 10:51:13

Që kur sqaroi pozicionin e tij në Kuvend, Saimir Tahiri i është larguar syve të publikut dhe veçanërisht të politikës. Të vetmit që e kujtojnë janë përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Edhe sot Enkelejd Alibeaj kërkoi arrestimin e Tahirit dhe tregoi edhe provat.

Që prej seancës së 25 tetorit 2017, kur Parlamenti refuzoi të autorizonte Prokurorinë për ta arrestuar deputetin e akuzuar për përfshirje në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, ai nuk ka marrë më pjesë as në komisione dhe as në seancë plenare.

Tahiri ka qëndruar larg vëmendjes publike duke u përpjekur të ulë edhe vëmendjen politike ndaj tij. Ai nuk ulet me në vendin e tij në sallën e Kuvendit dhe komisionet parlamentare, ndërsa nga Partia Socialiste u zhvesh nga çdo funksion. U hoq delegacioni i Kuvendit për stabilizim asociimit që të mos ulej më përballë me zyrtaret e Brukselit.

Tahiri thuhet se ditët e tij i kalon me miqtë, këshilltaret dhe juristët, ndërsa ata që e kujtojnë vazhdimisht janë demokratet që e kanë bërë pjesë thelbësore të një hetimi parlamentar.

Anëtar i këtij komisioni është edhe Enkelejd Alibeaj, që në emër të selisë blu i kërkon Prokurorisë të tentojë për së dyti arrestimin e Tahirit, tashmë që sipas tij ka edhe prova të reja.

“Nga përgjimet e autoriteteve italiane provohet se Saimir Tahiri, ministër i Brendshëm, Jaeld Çela, Drejtor i Policisë së Vlorës i emëruar nga Tahiri, Florian dhe Moisi Habilaj, trafikantë droge që përdornin makinën e Tahirit, Gentian Çeka, shofer personal i Tahirit dhe Orest Sota, mik i Tahirit që iu gjetën 863 mije euro me patentat e Tahirit, janë një grup i strukturuar kriminal, secili me rolin e vet, me qëllimin e përbashkët, trafikimin e kanabisit drejt Italisë”, tha Alibeaj.

Para se të humbasë mandatin, deputeti mund të mungojë deri në 6 muaj radhazi, që në rastin e Saimir Tahirit do të thotë 26 prill. Por demokratët duket se kanë ndërmend t’ia prishin qetësinë e pushimeve, duke e thirrur të dëshmojë para komisionit hetimor parlamentar.