Zv.kryeministri serb: ‘Konflikti i ngrirë’ në Kosovë kundër interesave të Serbisë

31.07.2017 11:25:51

Caktimi i kufijve të Kosovës është një alternativë legjitime politike, ka thënë zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Ljajiq.

Ai ka thënë për RTS se gjendja e konfliktit të ngrirë, të cilën e ofrojnë shumë prej partive politike është kundër interesave të Serbisë, transmeton lajmi.net

“Në sajë të serbëve që jetojnë në Kosovë, Serbia është në një pozitë për të negociuar në mënyrë legjitime dhe për të mbrojtur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare. Për sa kohë që serbët të jetojnë në jug kjo mundësi ekziston” ka deklaruar zëvendëskryeministri serb.

Më tej, Ljajiq  ka thënë se është mirë që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic doli me idenë për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi sipas tij, serbët do të mund të mbetnin pa asgjë në Kosovë.

 

Ljajiq ka thënë se përmes normalizimit të marrëdhënieve (në mes të Kosovës dhe Serbisë) shteti serb fiton mbështetje financiare në projekte infrastrukturore, mbështetje në proceset integruese dhe se Serbia do të eksportoj më shumë mallra në Kosovë sesa në shumë shtete tjera.