Zyrtare: Botërori me 48 ekipe

10.01.2017 15:45:35

Tashmë është zyrtare, FIFA ka miratuar propozimin e presidentin Gianni Infantino për shtimin e numrit të skuadrave në Botëror, çka do të thotë se shanset për një pjesëmarrje të Shqipërisë në këtë eveniment, rriten ndjeshëm. 48 është numri i skuadrave që do të marrin pjesë duke filluar që prej Botërorit 2026 nga 32 që është aktualisht. Sipas FIFA-s, Kupa e Botës do të ndryshojë formulë pasi do të jenë 16 grupe pjesëmarrëse me nga 3 skuadra. Vendimi u ratifikua nga Këshilli i Përgjithshëm Drejtues. Informacionet që rrjedhin nga FIFA, bajnë me dije se gjatë ndeshjeve në grupe nuk do të njihen barazimet sepse në një rast të tillë, ndeshja do të shkojë në lotarinë e 11-metërshave menjëherë pas 90 minutëshit. Dy të parat e çdo grupi do të kualifikohen për në fazën tjetër me eliminim direkt. Organi më i lartë drejtues i qeverisë së sportit botëror votoi në unanimitet në mbledhjen e zhvilluar në Zyrih dhe në bazë të formulës së re, numri i ndeshjeve në Botëror do të jetë 80 nga 64 që është aktualisht, gjithsesi, skuadra që do të shpallet kampione, do të luajë vetëm 7 ndeshje. Evenimenti do të luhet në 32 ditë pasi klubet europiane kanë ushtruar presion të mos ketë zgjatje më të madhe kohore. Sipas presidentit Infantino, nga ky ndryshim do të përfitojë gjithë futbolli pasi botërori do të jetë më përfshirës me një eveniment të tillë që është edhe maksimumi për karrierën e çdo lojtari. Sipas parashikimeve, rritja e numrit të skuadrave pjesëmarrëse do të rrisë edhe të ardhurat e FIFA-s nga ky eveniment. Përllogaritjet e para dalin në përfundimin se me Kupën e Botës me 48 skuadra, të ardhurat do të rriten rreth 700 milionë Euro krahasuar me Botërorin me 32 skuadra.