Zyrtarët e Komunës së Drenasit Kërkojnë Hedhjen e Aktakuzës

28.05.2017 13:59:08

Në seancën e dytë gjyqësore ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Drenasit dhe drejtorit të kompanisë “Agribau”, katër të akuzuarit e kundërshtuan aktakuzën dhe kërkuan nga Gjykata ta hedhë poshtë atë.

Sipas aktakuzës, Hyrije Xhemajli-Thaçi, Shyqyri Bublaku, Vehbi Jashari dhe drejtori i kompanisë “Agribau”, Naim Berisha, e shkelën Ligjin e Prokurimit në rastin e kontratës për blerjen e një kamioni për fikjen e zjarrit për nevoja të Komunës së Drenasit.

Avokatët mbrojtës të katër të akuzuarve në lidhje më këtë rast i dorëzuan kundërshtimet e veta të paraqitura me shkrim duke i propozuar kryetarit të trupit gjykues Valon Kurtaj që ta hedhë aktakuzën me arsyetimin se është e pabazë dhe se të mbrojturit e tyre janë plotësisht të pafajshëm.

Avokati i Shyqyri Bublakut, Fehmi Shala. potencoi faktin se i mbrojturi i tij për të kryer punët e pagesave është caktuar si zyrtar certifikues nga eprori i tij në përfundim të vitit kalendarik 2015, me qëllim të kryerjes së pagesave të mbetura të kKomunës së Drenasit ngase certifikuesi i mëhershëm kishte vdekur.

“Për këtë arsye kryerja e këtyre punëve ka qenë sipas urdhrit gojor dhe e përkohshme në kuptim të kësaj nga Komuna e Drenasit në marrëveshje me Departamentin e Thesarit të Ministrisë së Financave të mbrojturit tim i është dhënë qasja në Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Financave”, tha avokati Shala.

Ai po ashtu deklaroi se i mbrojturi i tij ka qenë i informuar vetëm në dy ditët e fundit të muajit dhjetor të vitit 2015 se do të i kryejë ato punë.

“Po qe se do të kishte marrëveshje për mënyrën e veprimit siç janë të ngarkuar në aktakuzë të akuzuarit atëherë dikush është dashur të dijë se certifikuesi zyrtar i mëhershëm, Idriz Musliu, nuk do të ekzistojë në një mënyrë apo në një tjetër në momentin kur do të bëhet pagesa për kamion në mënyrë që me tani të akuzuarin Shyqyri Bublaku të akuzuarit e tjerë të bënin marrëveshje për pagesën e kamionit në mënyrën siç është bërë”, tha avokati i Shyqyri Bublakut.

Sipas avokatit, në aktakuzë lihet të nënkuptohet se të akuzuarit e kanë ditur se zyrtari i mëparshëm certifikues, Idriz Musliu, do të ndërronte jetë dhe se Shyqyri Bublaku do ta zëvendësonte për të bërë pagesën për kamionin.

Përpos kundërshtimeve të paraqitura me shkrim edhe avokati i Naim Berishës, Naim Rudari gjatë seancës shtoi se asnjë nga provat e paraqitura nga Prokuroria nuk është provë dhe nuk flet konkretisht për të mbrojturin e tij.

“Në aktin akuzues të cilin ne e kemi kundërshtuar dhe në të cilin akuzohet i mbrojturi im nuk parashihet asnjë përfitim i drejtpërdrejtë nga askush dhe përfundimisht nuk parashihet asnjë dëm që i është shkaktuar ndokujt e më këtë rast as Kuvendit Komunal të Drenasit”, tha avokati Rudari.

Avokati Naim Rudari tha që Komuna e Drenasit ka pasur vetëm përfitime në këtë rast.

“Në këtë rast konsiderojmë se ka përfituar drejtpërdrejt Kuvendi Komunal i Drenasit pasi që ka realizuar një projekt me një çmim shumë të favorshëm dhe në kohën e caktuar”, deklaroi ai.

Avokati po ashtu theksoi se kamionin të cilin e kishte sjellë i mbrojturi i tij është duke funksionuar dhe duke u shfrytëzuar nga shërbimi i zjarrfikësve në Drenas.

Nga Prokuroria e Shtetit Hyrije Xhemajli-Thaçi, Shyqyri Bublaku e Vehbi Jashari po akuzohen se në shtator të vitit 2015 në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Drenasit e kanë shkelur nenin 81.2 të Ligjit mbi Prokurimin Publik, kur më 29 shtator 2015 kanë nënshkruar kontratën mes Komunës së Drenasit dhe kompanisë “Agribau”, drejtor i së cilës ishte i pandehuri Naim Berisha.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të akuzuarit kanë bërë pagesën prej 110 mijë eurove ndërsa nuk e kanë pranuar mallin (kamionin) në kohën e duhur ashtu siç ishte kontraktuar.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit ishin në dijeni se kamioni nuk i plotësonte kriteret sipas kontratës  dhe se i njëjti ka qëndruar në pikën doganore të Hanit të Elezit, ku ishte ekzaminuar nga ekspertët dhe nga ku ka rezultuar se nuk i përmbushte kriteret e parapara me kontratë.

I akuzuari i katërt i këtij rasti, Naim Berisha, sipas aktakuzës u ka ndihmuar të akuzuarve të tjerë të këtij rasti në atë mënyrë që paraprakisht u ka premtuar fshehjen e përfitimit që do të rrjedhë nga kryerja e veprës penale duke mos e zbatuar kontratën e lidhur mes firmës së tij dhe Komunës së Drenasit.

Për propozimet e palëve për hedhje të aktakuzës kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj tha se pas shqyrtimit të këtyre kërkesave do të vendosë në lidhje me to dhe se palët do t’i njoftojë me kohë në lidhje me këtë vendim.

Katër të akuzuarit për këtë rast më 13 prill, në seancën e shqyrtimit fillestar, u deklaruan të pafajshëm rreth veprës penale e cila u vihet në barrë.