Zyrtari i ATK-së dëshmon në gjyqin e Hysni Hoxhës

07.09.2016 22:06:02

Sami Salihu dëshmoi në gjyqin ku të pandehurit akuzohen se kompanisë “Conex Group” në mënyrë të kundërligjshme i kanë sjellë dobi materiale në vlerë prej afër 1.8 milion euro.

Në gjykimin kundër ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik, Hysni Hoxha, e zyrtarit të OSHP-së, Hysni Muhadri, si dhe Arsim Robellit, kontabilist i “Conex Group”, sot ka dëshmuar Sami Salihu, zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Salihu nga ana e mbrojtjes së të akuzuarve kryesisht u pyet rreth dy raporteve të kontributeve të paguara të operatorit ekonomik “Conex Group”.

Sipas dëshmitarit, operatorët ekonomikë kanë të drejtë t’i korrigjojnë raportet e deklaruara.

“ATK-ja nuk jep asnjë informatë për subjektet ekonomike. Nëse këtë e kërkon ndonjë subjekt tjetër apo ndokush tjetër… është e specifikuar se kush mund të merr këto informacione”, tha dëshmitari në pyetjen e avokatit Sahit Bibaj, mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Hoxha.

Ndërsa në pyetjen e te akuzuarit Hoxha, dëshmitari deklaron se më 17 qershor 2013 nga OSHP-ja janë kërkuar informata për numrin e punëtorëve të operatorit ekonomik “Conex Group” për vitin 2010, 2011 dhe 2012.

Dëshmitari po ashtu deklaroi se ka pasur korrespondenca edhe me Hysni Muhadrin, i cili ka qenë në cilësinë e ekspertit shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ndërsa ne pyetjen e avokatit Kujtim Kerveshi, mbrojtës i të akuzuarit Arsim Robelli, se a ka mundësi që ndonjë operator ekonomik t’i ketë listat e punëtorëve të operatorit tjetër ekonomik, dëshmitari Salihu tha se kjo nuk është e mundur, pasi që në ATK mund të merren këto vetëm me autorizim.

Po ashtu, edhe për korrigjimin e deklaratave nevojitet autorizimin, tha ai.

I akuzuari Arsim Robelli pasi që bëri vërejtje në dëshminë e dëshmitarit, tha se atij i është ngritur aktakuzë në bazë të dokumenteve kopje, edhe pse tha se ka kërkuar dokumentet origjinale.

Në këtë rast gjyqësor, të pandehurit Hysni Hoxha dhe Hysni Muhadri dyshohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar ndërsa të pandehurit Veton Fetahu, pronar i kompanisë “Conex Group” dhe Arsim Robelli, mbajtës i kontabilitetit i kësaj kompanie, dyshohen se kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe deklarimit të rremë nën betim.