2017-ta katastrofike e Liverpool-it, “kura” Klopp nuk funksionon

09.02.2017 16:19:46

Vetëm 1 fitore  në 10 ndeshje edhe ajo ndaj modestëve të Plymouth në Fa Cup. Viti 2017 ka nisur në mënyrë katastrofike për Liverpoolin që ka rrëshkitur nga vendi i dytë në të 5 -tin dhe është eliminuar nga të dyja kupat. Për momentin e ardhmja e Jurgen Klopp në stolin të Kuqëve nuk është në dyshim, por dueli i kësaj të Shtune ndaj Tottenham-it në Anfield Road mund të përcaktojë shumë gjëra. 16 muaj më parë Klopp mori drejtimin e Liverpoolit me shumë bujë dhe në skuadër u ndje menjëherë dora e trajnerit gjerman i cili arriti rezultate shumë të mira.

Por nuk mund të thuhet e njëjta, pas një Janari katastrofik në 2017-tën. Nëse u hedhim një sy statistikave Klopp në këto 16 muaj nuk i ka dhënë asgjë më shumë Liverpoolit se paraardhësi i tij Brendan Rodgers, përvec faktit se të Kuqtë kanë arritur të mposhtin shpesh skuadrat e mëdha të kampionatit anglez dhe në këtë sezon nuk kanë marë asnjë humbje ndaj ekipeve të 6-shes së parë.  Bilanci paraprak thotë që Klopp ka regjistruar 26 fitore 16 barazime dhe 12 humbje në 54 ndeshjet e tij të para me klubin nga Anfield Road, ekzaktësisht si Brendan Rodgers.

Efekti Klopp është zhdukur papritur nga Liverpooli me të Kuqtë që nuk kanë fituar asnjë nga 5 ndeshjet që kanë zhvilluar një kampionat në këtë fillim 2017-te. Për të gjetur një ecuri të ngjashme të Liverpoolit në një fillim viti duhet të kthehemi shumë pas në kohë pikërisht në vitin e largët 1954.  Për të parë skuadrën e tyre të rikthehet te trofetë, tifozët e Liverpoolit duhet të presin minimalisht edhe një tjetër sezon sepse deri tani revolucioni që ka bërë Jurgen Klopp te The Reds nuk ka dhënë efektet e shumëpritura.