SHËNOHET “FESTA E ABETARES “

SHËNOHET “FESTA E ABETARES “

17.05.2017 21:09:45

Nën organizimin e Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë, të mërkurën në Prishtinë është mbajtur manifestimi “Festa e Abetares 2017”, festë kjo me karakter mbarëkombëtar.

Në shënimin e kësaj dite nxënësit e klasave të para shprehën aftësitë e tyre të të mësuarit të alfabetit të gjuhës shqipe. Me rastin e hapjes së këtij manifestimi tradicional, ministri i arsimit në detyrë Arsim Bajrami u shpreh se kjo festë ka zbukuruar kryeqytetin e Kosovës.

“Abetarja është një libër i shenjtë. Ajo ka rezistuar dhe është ajo që na bashkon e na bënë krenar. Ajo përmban 36 shkronja të arta me të cilat fatosat tanë mësojnë gjuhën e shenjtë, gjuhën shqipe”, tha Bajrami.

Ai shprehu respekt për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që kanë punuar me fëmijët.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës Arbërie Nagavci, tha se ndihet e nderuar të merr pjesë në këtë festë.

“Sot kërkohet më shumë mobilizim dhe punë që ne fëmijëve tanë t’iu ofrojmë kushte më të mira në shtetin tonë”, u shpreh ajo.

Taura Cangu, drejtoreshë e Arsimit në Shqipëri në fjalën e saj u shpreh se është nder që këta fatosa mblodhën te gjitha trevat shqiptare në këtë festë të bukur.

Edhe Driton Rexhepi përfaqësues nga Bujanoci tregoi se abetarja në Medvegjë ka pasur sfidat e saj por që fatmirësisht kanë arritur që të kenë edhe fatosat e asaj pjese abetaren e përbashkët.