A e meritojmë një kryeministër që po bën “kurban” rrugët dhe njerëzit?

30.11.2016 10:24:21
epa04291116 Albanian Prime Minister Edi Rama addresses the media during a joint news conference with outgoing European Commission President Jose Manuel Barroso (unseen) following their meeting in Tirana, Albania, 30 June 2014. EU leaders on 27 June had nominated former Luxembourg Prime Minister Jean-Claude Juncker to succeed Barroso as the next president of the European Commission. EPA/STR

– Si po sakrifikohen dhe po tallen qytetarët e këtij vendi me spostimin e fondeve buxhetore drejt projekteve të një pushtetari “estet”…

Viktima e fundit e një marrëzie në strategjinë e projektimit të rrugëve ishte një 17-vjeçar në Vlorë, për të cilin Edi Rama është indirekt përgjegjës që u “muros” në pedonalen famëkeqe të një qyteti ku kryeministri është deputet. Marrëzi që shprehet në mbjellje palmash në një rrugë, e cila është e programuar që të zgjerohet në të dy anët e saj. Një gjë që, kur bie shi me rrëshekë, bllokon trafikun në aksin kryesor kombëtar, duke u shkaktuar qytetarëve, shqiptarë e të huaj, si dhe ekonomisë, humbje miliona-euroshe, për të cilat nuk përgjigjet askush. Dhe që vazhdon në Pogradec, me sakrifikimin e një mini-segmenti 1-kilometërsh për kapriçio estetike, të kthyer tashmë në makthin e çdo udhëtari, shofer apo jo. Ku janë segmentet e rëndësishme rrugore, për të cilat Shqipëria u shqua që nga viti 2000 e këtej? Pse ato u “prenë me thikë” sa erdhi Rama në pushtet? Kjo vjen nga një bllokim i pajustifikueshëm fondesh për rrugët nacionale, ndërkohë që qindra miliona euro po devijohen në projekte që plotësojnë kapriçiot e një kryeministri “estet” që problem numër një ka fasadat e ministrive, sheshet kryesore të ca bashkive dhe rrugë që i pëlqejnë gustos së tij dhe të grupit të arkitektëve në shpurën e tij në Kryeministri, por që nuk janë aspak funksionale, madje janë kthyer edhe në vende vdekjeje.

Çfarë tregojnw shifrat e buxhetit? Vepra me koston më të lartë e përzgjedhur si prioritare në fushën e transportit është rruga e Arbrit. Aksi që lidh Tiranën me Dibrën ka një kosto të përllogaritur prej 205 milionë euro dhe aktualisht është e pa buxhetuar. Lista me 13 projektet e përzgjedhura si prioritare nga Komiteti i Planifikimit Strategjik pasohet nga ndërtimi i rrugës Fushë Krujë-Shkodër, e cila kushton 202.5 milionë euro. Kjo rrugë është pjesë e aksit veri-jug, ose Korridorit Adriatiko-Jonian. Aktualisht ajo është me dy korsi dhe sipas projektit do të zgjerohet edhe me dy korsi të tjera për të përballuar fluksin e trafikut. Projekti i tretë më i madh është në fushën e hekurudhave. Bëhet fjalë për rehabilitimin e hekurudhës Vorë-Shkodër-Hani i Hotit, e cila ka një kosto totale prej 175.8 milionë euro.  Hekurudhat janë një nga sektorët më të nënfinancuar në Shqipëri. Por në strategjinë e transportit, nga 13 projekte prioritare, 4 prej tyre i përkasin rrjetit hekurudhor dhe kanë një kosto totale prej 560 milionë euro.  Më pas, në listë renditen rruga Thuman-Kashar-Vorë, ajo e lumit të Vlorës dhe by pass-it të Tepelenës, Lezhës dhe Tiranës.  Në total këto vepra kanë një kosto prej 1.6 miliard euro, por nga 13 projekte vetëm gjysma e tyre është pjesë e programit buxhetor afatmesëm, pra në rrugë financimi. Të tjerat mbeten në pritje.

Tirana

Një problematikë të tillë e tregon më së miri situata në Tiranë. Trafiku në Tiranë është kthyer në makth për të gjithë ata që e kanë një automjet me të cilin udhëtojnë çdo ditë, pa harruar ata që ecin në këmbë apo me biçikleta e që rrezikohen nga lumi i makinave, në kushtet kur mungojnë totalisht mbikalimet dhe nënkalimet për këmbësorët. Situata u rëndua edhe më pas mbylljes thuajse të plotë të sheshit Skënderbej i cili do të transformohet i tëri në pedonale të dedikuar për këmbësorët. Kaosi urban në Tiranë duket i pashmangshëm për aq kohë sa kryeqyteti i falet një unaze të vetme funksionale nga 5 të tilla që ka të projektuara në letër. Për më tepër unaza ekzistuese, ose unaza e vjetër siç njihet, daton që prej planit rregullues të vitit 1957, ndërsa funksionon si e tillë që pas vitit 1965, kur edhe përfundoi së ndërtuari. Rruga me 2 korsi për sens lëvizje dhe gjatësi 7.5 km kishte si qëllim të rrethonte nga jashtë kryeqytetin e atëhershëm që shtrihej në jo më shumë se 100 hektarë që është barazi me 1 të 15-tën e territorit të Tiranës së sotme qytet.

Ajo që ka marrë emrin “Unaza e Vogël” dhe që rrethon sheshin Skënderbej, (në transformim e sipër për tu kthyer në pedonale), mezi u bë gati. Largimi i një transformatori elektrik në lotin e fundit, që përvijon pasHOTEL Tiranës, kaloi çdo parashikim duke sjellë një vonesë afër 5 mujore nga finalizimi i parashikuar i objektit, që duhej ti kishte paraprirë mbylljes së qendrës së qytetit.

Faturën e trafikut kaotik e paguan qytetarët e Tiranës dhe mijërat e automjeteve që hyjnë çdo ditë nga rrethet. Ndërkohë, 2 unaza të projektuara nga Bashkia e Tiranës, 2 dhe 4, ekzistojnë vetëm virtualisht në projeksionet afatmesme të qeverisë vendore. Për rrjedhojë, shpresa e vetme për të shfryrë trafikun e tejngopur të kryeqytetit mbetet unaza e madhe, një projekt ambicioz që rrethon qytetin në një perimetër që llogaritet në afër 22 kilometra, me një kosto financiare që shkon në 400 milion dollarë.

Të përfunduara 100% deklarohen vetëm 2 lote nga 10 në total:

  1. aksi rrugor nga rreth rrotullimi i Shqiponjës tek Fabrika e Miellit,
  2. loti nga Komuna e Parisit tek rreth-rrotullimi i Lundrës, rrugë që nuk kanë komunikim me njëra tjetrën pasi ndërpriten nga dy lote në proces ndërtimi me gjatës 1.5 kilometra dhe 640 metra.

Punimet në këto dy segmente zvarriten që prej vitit 2014, kohë kur edhe duhet të kishin përfunduar.

Shkaku kryesor, problemet me shpronësimet, që provokuan deri përplasje fizike mes 184 familjeve që humbën shtëpitë nga zbatimi i projektit dhe Inspektoratit Kombëtar të Territorit mbështetur nga policia e shtetit. Banorët protestuan deri në bllokim të punimeve duke kërkuar rivlerësim të masës së dëmshpërblimit për shtëpitë e prishura dhe pronën truall, bazuar në çmimin e tregut dhe jo atë të referencës. Nga kjo përplasje më të humburit dolën ata që kishin banesat në proces legalizimi, e që përfituan vetëm një bonus qiraje dy vjeçar nga shteti.

Pas kësaj u duk se investimi do të avanconte, madje kryetari i bashkisë Erjon Veliaj nxitoi të deklaronte, në janar të vitit 2016, se unaza e madhe nga qendra Kristal deri tek ish-Teknologjikja, përfshirë edhe mbikalimin tek Fabrika e Miellit, do të jenë gati brenda këtij viti. Por deklaratat nuk përkojnë me ecurinë e punimeve në këtë segment të unazës, pavarësisht se në lotin e parë kompania Salillari ka një ecuri të kënaqshme ndryshe nga kompania tjetër “Albavia” që ka një vit që i ka braktisur punimet.

Ata që e vuajnë më së shumti lënien përgjysmë të punimeve janë banorët e zonës së Komunës së Parisit dhe ata të Selitës që u duhet çdo ditë të çajnë baltën dhe pengesat prej betonit për të kaluar nga njëra anë e bllokut të pallateve në anën tjetër.

Ndërkohë drejtori i ARRSH, Dashamir Xhika, i pyetur nga News24 pranon se shkaku numër një se përse punimet e unazës kanë ngecur është mungesa e fondeve nga qeveria. Segmentet e Unazës së madhe që ende kanë mbetur pa u ndërtuar janë dy: Sauk – Farkë – Shkozë – Rrapi i Trishit; dhe që përvijon më tej me segmentin Babrru – Bregu i Lumit – Kthesa Kamëz dhe Doganë, tek “Rrethrotullimi i Shqiponjës”, ku dhe lidhet me lotin e parë të unazës të përfunduar.

Zgjidhja e parashikuar në këtë projekt mbështetet në standardin e përcaktuar në Këshillin Teknik të Autoritetit Rrugor, me dy vija kalimi 2 x 3.75 m, një brez sigurie 2 x 2 x 0.75 m, bankina në anësore me nga x 1 m me një kurorë të përgjithshme të rrugës 22 m. Unaza në këtë pjesë është konceptuar të funksionojë si rrugë shpejtësie dhe me hyrje-dalje të disiplinuara me rrethrrotullimi dhe kalime mbi dhe nën nivel. Për pjesën veriore të Unazës që është projektuar të ndjek në të dy anët rrjedhën e lumit Tirana nuk jipen të dhëna. Prej një viti ARRSH ka tenderuar tre lotet e segmentit të 2-të të unazës, Sauk – Farkë – Shkozë – Rrapi i Trishit. Sipas kreut të ARRSH, Dashamir Xhika, për këtë segment që kushton 78 milion dollarë qeveria ka dhënë zero fonde edhe pse ka shpallur tre kompani fituese të ndarë në tre lote. Por kjo se ka ndalur kompaninë Gener 2 që ka ndërtuar tërësisht me paratë e saj një rrugë afër 4.7 kilometra të gjatë pjesërisht të asfaltuar.

I pyetur për këtë drejtori i ARRSH pranon se kemi të bëjmë me broxhe të reja të krijuara që shteti u detyrohet kompanive ndërtuese që kanë avancuar me punimet. Kjo është rezultat i një spostimi të vëmendjes nga ana e ministrisë së Financave drejt projekteve të tjera, jo kaq të rëndësishme. Madje me vetëfinancim ka nisur punën edhe kompania tjetër Albavia që ka marrë përsipër të ndërtojë lotin e dytë të rrugës nga Farka në Shkozë e që çuditërisht është e njëjta firmë ndërtimi që ka braktisur punimet në lotin pranë qendrës Kristal, 640 metra.

Por edhe aty ku unaza konsiderohet e përfunduar ajo është jo funksionale pasi segmentohet nga kantiere të hapura që po ti shtojmë edhe mungesën e ndriçimit kthehen në kurthe vdekjeprurëse për drejtuesit e automjeteve. Shembulli më i qartë është segmenti i unazës që nis nga Komuna e Parisit deri tek rrethrrotullimi i TEG-ut i gjatë 3.5 kilometra. Pjesërisht rruga ndriçohet vende-vende natën, edhe pse shtyllat nuk mungojnë në të gjithë gjatësinë. Rreziku për shoferët që vijnë me shpejtësi pas një rruge të drejtë shtohet në fund të saj aty ku segmenti pritet nga loti i papërfunduar pranë qendrës Kristal duke formuar një kthesë të fortë 180 gradë.

2 vite më parë në atë kthesë kërcënuese u regjistrua një aksident tejet i rëndë automobilistik ku humbi jetën djali 11-vjeçar i ish zëvendësministrit të brendshëm Avenir Peka si dhe u plagos rëndë bashkëshortja e tij. Kanë kaluar 2 vite dhe asgjë s’ka ndryshuar. Rreziku është aty, po aq prezent e i frikshëm, produkt i një unaze të keqkonceptuar, të copëzuar dhe pa sinjalistikën e duhur rrugore. Por e gjithë kjo me të drejtë lind pyetja se kur do të përfundoj “Unaza e Madhe e Tiranës”? e premtuar që në nisje se do të ishte gati brenda vitit 2020. Financimi publik i qeverisë shqiptare për veprat madhore për vitin 2016 llogaritet në 11 milion dollarë. Por vetëm një pjesë e saj shkon për unazën e madhe të Tiranës, që kushton afër 400 milionë dollarë.

Pengesa e dytë është mungesa e parave për të zhdëmtuar pronarët. Nga ARRSH mësojmë se shteti shqiptar i detyrohet të shpronësuarve të prekur nga projektet publike afër 30 milion euro borxhe të akumuluara që prej vitit 2002 e në vijim. Për shlyerjen e tyre Ekzekutivi disburson në vit 500 mijë euro, që përkthehet në 1/60 e këtij detyrimi financiar që qeveria ka të trashëguar kundrejt shtetasve të saj! Nëse llogaritim ritmin aktual të punimeve, me një financim konstant vjetor, si dhe duke përllogaritur edhe borxhet e reja të akomuluara ndaj kompanive ndërtuese, pa harruar dhe faturën e kripur të shpronësimeve, arrihet lehtësisht në përfundimin se arteria më e rëndësishme e Tiranës moderne, Unaza e Madhe, nuk do të jetë gati deri në vitin 2030 kur dhe kulmon plani i ri rregullues i bashkisë së Tiranës. Ajo që i mbetet qeverisë është të hap thesin e të shtojë fondet për Unazën e Madhe ose në të kundërt qytetarët e Tiranës do të duhet të mësohen me trafikun gjithnjë e më kaotik të kryeqytetit shqiptar që me kohë thuhet se i ka kaluar 1 milion banorë.