AAK-ja mbështet dialogun në Uashington me tri parime që s’duhet të shkelen

22.06.2020 17:09:46

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një konference për media ka thënë se partia e tij e mbështet delegacionin e Kosovës për dialogun me Serbinë, me tri parime që nuk duhet të shkelen.

Sipas tij, AAK-ja vlerëson se Kosova ka definim të qartë për procesin e dialogut.

“AAK-ja vlerëson se Kosova ka definim të qartë për procesin e dialogut, dhe parimet që janë bazë e këtij procesi: Parimi i integritetit territorial, parimi i karakterit unitar, pra s‘ka diskutim për një pushtet të ri të tipit Republika Srbska, dhe ruajtja e Kushtetutshmërisë. Këto janë parimet që Aleanca përkrah delegacionin e Kosovës në Washington”, ka thënë ai.

Haradinaj po ashtu ka thënë se udhëheqja e dialogut nga SHBA-ja është garancë për Kosovën.

“Garancë për neve është se këtij dialogu i prin SHBA-ja, mbajmë shpresë se do të zhbllokohet nyja dy dekadëshe. Presim që të kemi njohje reciproke në kufijtë ekzistues. AAK-ja mbështet delegacionin. Me siguri se do të jenë pjesë e delegacionit edhe kolegë nga Aleanca, ata që janë pjesë e kabinetit qeveritar”, ka thënë tutje Haradinaj.

Kreu i AAK-së, thotë se pret sukses në këtë takim që do të rezultojë me njohje reciproke, pa u cenuar territori.