Abrashi prezanton planin për sistemin e ujitjes në Barilevë

02.10.2017 19:47:54

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një takimi me banorët e fshatit Barilevë, ka prezantuar planin e tij për ndërtimin e sistemit të ujitjes për kulturat bujqësore.

Ai është zotuar se për banorët e këtij fshati do të kenë prioritet subvencionet në sektorin e bujqësisë, ndërsa e quajti të papranueshme shkurtimin e subvencioneve për bujqësi nga qeverisja e kaluar.

Banorët me të cilët ka kontaktuar Abrashi, kanë kërkuar ndërtimin e një ure kryesore në fshat dhe kanë marrë premtimin se ajo do të jetë pjesë e projekteve të komunës në fushën e infrastrukturës.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka thënë se gjatë mandatit katërvjeçar fokusi do të jetë zhvillimi ekonomik lokal dhe krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë e kryeqytetit, por edhe riaftësimi i atyre që kanë probleme të përfshihen në tregun e punës.

“Në vitin e parë Fondi i Punësimit do të ketë në disponim 1 milion euro nga buxheti i komunës, ndërsa do të rritet në vitet në vijim. Këtë fond do të synojmë ta rrisim nëpërmes përkrahjes nga niveli qendror dhe nga donatorët ndërkombëtarë. Ideja është që t’i financojmë idetë e të rinjve për krijimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Do të përkrahim edhe bizneset ekzistuese për zgjerimin e kapaciteteve të tyre”, ka thënë Abrashi.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën, ka thënë se me Fondin Punësimit do të përkrahen të gjitha moshat, të cilat kanë humbur vendet e tyre dhe kanë probleme të përfshihen në tregun e punës, nëpërmes riaftësimeve profesionale.