Agim Aliu viziton zonat e vërshuara

04.03.2018 22:58:26
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në orët e mbrëmjes ka vizituar zonat e vërshuara në fshatrat Tërn, Lubovc, Babush, Bablak, Koshare.

Reshjet e dendura të shiut ditëve të fundit dhe shkrirja e borës kanë shkaktuar vërshime në këto fshatra.

Gjithashtu, si pasojë e kësaj situate edhe në fshatin Greme, në vendin e quajtur Vrella ka pasur rrëshqitje dheu, me ç’rast është vendosur shiriti sinjalizues i sigurisë.

Ditëve të ardhshme do të hartohet dhe publikohet një raport për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe plani afatmesëm dhe afatgjatë i masave dhe ndërhyrjeve që duhet të bëhen për parandalimin e vërshimeve në këtë zonë, thuhet në komunikatën nga komuna e Ferizajt.

Aliu njoftoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe siguroi banorët e zonës se institucioni i komunës do t’i gjendet pranë në realizimin e kërkesave të tyre për tejkalimin e kësaj situate.