Aktgjykim dënues dhe lirues në rastin e të akuzuarve se nxorën sekrete tregtare për importin e veturave nga djali i ish-kryeministrit Mustafa

21.11.2019 18:11:22

Gjykata Themelore në Ferizaj, të enjten, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-zyrtarit doganor, Isa Shiti, i akuzuar për veprën penale “komunikimit i paautorizuar i sekretit tregtar”.

Ai është dënuar me një vit burgim, mirëpo ky dënim nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër brenda një viti e gjashtë muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, i akuzuari Shiti është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro, si dhe 50 euro të tjera në emër të kompensimit të fondit të viktimave.

Ndërsa, ndaj ish-zyrtarit doganor Ramadan Latifaj, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar, gjykata ka shpallur aktgjykim lirues.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, tha se për këtë aktgjykim janë marrë të gjitha rrethanat lehtësuese, duke u nisur nga fakti që i akuzuari Shiti nuk ka të kaluar kriminale, pesha e veprës dhe shkaktimi i dëmit ka qenë pothuajse minimal, si dhe faktin që të dëmtuarit, Besnik dhe Arben Mustafa, nuk kanë parashtruar kërkesë pasurore-juridike.

Kurse, për të akuzuarin Latifaj, gjykatësi Ibrahimi tha se nuk është vërtetuar që i njëjti ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohej nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Në këtë rast, bashkë me ta akuzohej edhe Enliat Shala, por ndaj tij prokurori Rasim Maloku ka hequr dorë nga ndjekja penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ndryshuar më 19 nëntor 2019, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i pandehuri Ramadan Latifaj akuzohet se më 10 mars 2016, në Degën Rajonale të Doganës në Ferizaj, si person zyrtar kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që personit tjetër t’i shkaktonte dëm.

Siç thuhet në aktakuzë, Latifaj kishte printuar Deklaratën Unike Doganore të importuesit “MAKCAR”, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMË, nga ndërmarrja “Delta Motors” me seli në Beograd, e cila deklaratë më pas është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërrmarjen dhe për pronarin e saj.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në pikën dy të dispozitivit, me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Latifaj ua kishte komunikuar personave të tretë sekretet afariste të ndërmarrjes “MAKCAR”, të cilat pa autorizim i kishte printuar dhe dorëzuar tek disa përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar”, nga neni 292, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, i pandehuri Isa Shiti akuzohet se më 16 mars 2016, ua kishte komunikuar personave të tretë sekretet afariste të ndërmarrjes “MAKCAR”, në atë mënyrë që në pozitën e shpediterit në pikën kufitare të Hanit të Elezit, pa autorizim kishte printuar dhe ua kishte dorëzuar përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje DUD-at me të dhëna lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMË, nga ndërmarrja “Delta Motors”, me seli në Beograd.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “komunikim i paautorizuar i sekretit tregtar” nga neni 292, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.