Aktivisti i VV-së nga Shqipëria tregon se çka u bisedua në Kryesi, qorton të dorëhequrit

04.01.2018 23:21:16

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i lëvizjes “Vetëvendosje”, Boiken Abazi, përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” ka zbuluar detaje të takimit të sotëm të kryesisë së Vetëvendosjes.

Ndër të tjera, ai ka treguar se është dakorduar që dy personat që dhanë dorëheqje nga funksionet në VV-së, ish-kryetari i LVV-së, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu, të ftohen për të diskutuar.

“Duhet shpjeguar gjithashtu që sipas rregullave tona të brendshme, me Statut një deputet nuk mund të japë dorëheqje nga të qenurit anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, organit më të lartë vendimmarrës. Aty deputetët marrin pjesë ex-oficio për të dhënë kontributin e tyre, për të dhënë llogari para organizatës, për të marrë e dhënë informacionin e domosdoshëm për aktivitetet dhe punën e Lëvizjes, si dhe për të marrë vendime të përbashkëta”, ka shkruar ai.

Statusi i plotë:

Bazuar mbi punën e drejtpërdrejtë që kam patur me ta, shpreh gjithë mirënjohjen dhe falenderimin tim për atë pjesë që unë e konsideroj si kontribut tejet pozitiv që ka dhënë në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ish kryetari dhe nënkryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu, kur i kanë mbajtur këto pozicione, dhe kam përshtypjen këtë lloj mirënjohjeje e ndjejnë edhe shumica e aktivistëve. Ama, gjithashtu duhet thënë, se ka disa momente e vendime kyç gjatë kohës që ata kanë drejtuar, me të cilat unë nuk jam pajtuar, e vazhdoj të mos pajtohem, por kam respektuar në fund vendimet që janë marrë brenda organeve të zgjedhura vendimmarrëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! (Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm). Në këto organe ata jo vetëm kanë marrë pjesë dhe kanë patur përherë të drejtën e fjalës, por edhe i kanë drejtuar ose orientuar këto mbledhje, si dhe kanë patur mundësinë për të ngritur çdo çështje e për të propozuar e caktuar edhe rendin e ditës. Sigurisht jo 100% të gjërave që ata kanë propozuar edhe janë miratuar nga këto organe, sepse e tillë është demokracia, nuk kërkon thjeshtë pozitë formale, por kërkon gjithnjë e në secilin rast edhe argumente bindëse dhe mbështetjen e shumicës. Jo rrallë herë është mbivotuar në këto organe edhe Albin Kurti kur ai mbante pozitën e kryetarit para Visar Ymerit.

Sot në mbledhjen e Kryesisë së Lëvizjes u ra dakord që Visar Ymeri dhe Dardan Sejdiu të ftohen sërish për të diskutuar hapur në Kryesi të gjitha çështjet që dëshirojnë të trajtojnë, përfshirë edhe dorëheqjet e tyre, të cilat do të duhej të diskutoheshin bashkë me ta në Kryesinë e Lëvizjes. Duhet shpjeguar gjithashtu që sipas rregullave tona të brendshme, me Statut një deputet nuk mund të japë dorëheqje nga të qenurit anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, organit më të lartë vendimmarrës. Aty deputetët marrin pjesë ex-oficio për të dhënë kontributin e tyre, për të dhënë llogari para organizatës, për të marrë e dhënë informacionin e domosdoshëm për aktivitetet dhe punën e Lëvizjes, si dhe për të marrë vendime të përbashkëta. Mbase kjo ka qenë një lapsus nga ana e tyre – koha do ta tregojë. S.d.q, në mbledhjet e Kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm, nëse nuk merr pjesë, nese nuk e hap telefonin kur nevojitesh për t’i thirrur ato, apo nëse nuk jep propozime për pika të rendit të ditës, nuk mundet pastaj që Kryesinë dhe Këshillin ta kritikosh edhe për mosgatishmëri për të trajtuar cilëndo temë. Këshilli mblidhet së paku një herë në tre muaj, dhe nga një herë është mbledhur edhe më shpesh, dhe ky Këshill mund të mblidhet sërish për çdo lloj teme që prek Lëvizjen. Duhet thënë që këto dorëheqje janë gjithashtu kundërthënëse me qëndrimin – me të cilin s’jam pajtuar asnjëherë – se duhej pritur Albin Kurti për të diskutuar me të. Albin Kurti sot morri pjesë në mbledhjen e rregulltë të Kryesisë, dhe tregoi gatishmërinë që tregoi edhe çdo anëtar i Kryesisë për të diskutuar çdo temë në secilin organ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.