Alarm/ Pako e dyshimtë në Ambasadën Britanike në Tiranë, brenda saj kishte…

22.06.2019 17:30:01

Një pako e dyshimtë vuri në alarm Ambasadën Britanike në Tiranë. Mesditën e së premtes mbërriti në ambientet e Ambasadës një pako, që në fakt nuk ishte porositur nga asnjë përfaqësues i personelit dhe që mbishkrimin mbi të nuk kishte as ndonjë adresë fikse.

Si adresë e nisjes së pakos ishte India dhe ndaj u mendua se në pako mund të kishte lëndë plasëse, ose helmuese, duke shtuar edhe më shumë ankthin në ambientet e brendshme të Ambasadës.

Siç rezulton nga raportimi i ngjarjes, që tashmë ndodhet edhe në proçesverbalet e Policisë, në orën 13.30 një qese me çaj me mbishkrimin “Green sense organic” është sjellë përmes postës në Ambasadën Angleze, por se çfarë kishte brenda saj u mësua vetëm pasi ndërhyri reparti policor i specializuar për situata të tilla.

Ngjarjen e konfirmon edhe Ambasada Britanike, që shton se është ndjekur protokolli i zakonshëm,  duke e referuar ngjarjen tek policia. Nga ana tjetër, policia thotë jozytarisht se për shkak të dyshimeve se mund të bëhej fjalë për lëndë plasëse, apo edhe për një pako me lëndë helmuese është ndërhyrë me shpërthim të kontrolluar.

Menjeherë pas këtij veprimi lënda është përcjellë në Laboratorin e Kriminalistikës. Në fakt nga kqyrja paraprake konfirmohet se në brendësi të pakos nuk kishte asgjë tjetër veç çajit organik. Policia thotë se çaji ishte porositur në Indi dhe duhej dorëzuar në Maqedoninë e Veriut.

Çaji i mbasdites është një rit i njohur dhe qetësues për britanikët. Por ja që edhe një pako çaji ka rezultuar shqetësues për punonjësit e sigurisë së Ambasadës, por edhe për Policine e Shtetit.