Alarm te Bayern, lëndohet Alonso

13.02.2017 20:10:58

Strategu Xabi Alonso rrezikon të mos luajë në ndeshjen e së mërkurës me Arsenalin në Champions League. Mesfushori i Bayern-it sot u desh të ndërpriste stërvitjen, duke u detyruar të largohej drejt dhomave të zhveshjes me makinë golfi, pa qenë në gjendje të ulte këmbën në tokë. 35-vjeçari dëmtoi gjurin gjatë një dueli me shokun e tij të skuadrës, Javier Martinez. Spanjolli u shtri përdhe me një fytyrë që rrëfente dukshëm dhimbjet e tij. Pasi e ndihmuan fizioterapistët, ai nuk u kthye më në stërvitje.

Klubi nuk i alarmoi tifozët dhe njoftoi se Xabi ka vetëm një shqetësim pas stërvitjes, por “Bild” shkruan se faktikisht nuk është kështu. Sipas gazetës gjermane, mungesa e mesfushorit do të ishte një lajm shumë i keq për trajnerin Carlo Ancelotti, sepse ai vijon të jetë lojtar vendimtar në 11-shin bavarez. Nëse Alonso nuk do të luajë në sfidën e parë në “Allianz Arena”, ai do të ishte mungesa e tretë e rëndësishme e Bayern-it, përveç gjermanit Jerome Boateng dhe yllit Franck Ribery. Presim diagnozën.