Albulena Haxhiu thotë se demarkacioni nuk është kusht për liberalizimin e vizave

07.09.2016 09:51:54

Komiteti për të Drejtat dhe Liritë Civile dhe punë të brendshme në Parlamentin Evropian (LIBE), në një seancë të mbajtur të hënën pasdite ka mbështetur raportin e raportueses së posaçme të PE-së për Kosovën, Tanja Fajon, që kishte të bënte me liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit.

Nga 52 eurodeputetë të komitetit LIBE, që ishin të pranishëm, 25 votuan pro, 24 kundër dhe dy abstenuan.

E këtë vlerësim të LIBE-së për Kosovën, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu e vlerëson të drejtë dhe të duhur.

Ajo ka thënë për Indeksonline se me votimin e së hënës, Kosova kaloi edhe një hap më afër liberalizimit të vizave.

“E vlerësojmë dhe jemi të kënaqur që në Komitetin LIBE është kaluar edhe një stad për liberalizimin e vizave. Mendoj që në të kundërtën do të ishte padrejtësi për Kosovën, Mendojmë që edhe Kosova duhet ta ketë të drejtën për lëvizje të lirë, një gjë që s’mund t’i mohet, prandaj ka qenë momenti për këtë votim të këtillë”, ka thënë Haxhiu.

Sipas saj, në seancë u dëshmua që kusht për vizat nuk është demarkacioni kufitar me Malin e Zi sepse do të ishte padrejtësi, por luftimi i korrupsionit.

“Nga gjithë ajo çfarë është thënë dje, keni mund ta shihni se kriteri kryesor për liberalizimin e vizave është lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Demarkacioni nuk është dhe s’mund të jetë kriter kryesor, sepse do të ishte padrejtësi. Pse nuk ishte kriter demarkacioni me Kosovën për Malin e Zi?! Është mirë që qysh tani të kemi demarkim të kufijve me gjitha shtetet fqinje, por ky demarkacion aktual me Malin e Zi është i papranueshëm, sepse humben 8200 hektarë territor. Ne s’mund të japim tokë as për viza”, ka theksuar deputetja Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se Kosova duhet të jetë e vendosur në luftën ndaj krimit e korrupsionit, sepse sic ka thënë ajo, veç kështu i hap rrugën vetes edhe për procesin e liberalizimit të vizave, edhe për proceset e tjera.

“Mendojmë që Kosova duhet të jetë e vendosur që të mos tolerojë që në asnjë mënyrë të hyjë në marrëveshje që i sjellin pasoja të dëmshme afatgjata”, ka përfunduar Haxhiu.

Kujtojmë se prapë Komiteti LIBE i Parlamentit Evropian nuk i ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e negociatave të Parlamentit me Këshillin e BE-së për vendimin formal për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Vlen të theksohet se dy kushtet e vëna nga KE janë luftimi i korrupsionit dhe demarkacioni me Malin e Zi.