Albulena Haxhiu thotë se Murat Jashari kësaj radhe nuk bën për president

19.10.2020 22:34:15

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu nuk ka pranuar asnjërin nga kandidatët e përfolur për president me arsyetimin se ata do ta shpëtonin qeverinë e Hotit.

Haxhiu në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se në këto zgjedhje as Murat Jashari nuk duhet të jetë kandidatë për president të Kosovës.

Ajo ka thënë se nëse ndodh që Jashari apo dikush tjetër të zgjidhej president vendi nuk do të shkonte në zgjedhje.

“Në këtë zgjedhje nuk duhet të zgjidhet presidenti pasi nëse ndodh diçka e tillë do t’ia mundësonte Qeverisë Hoti qeverisjen. Ju e dini se nëse nuk zgjidhet presidenti vende shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme e më pas të mendohet për presidentin e ardhshëm.

“Një figurë si Murat Jashari bën për president por jo kësaj radhe”, deklaroi Haxhiu.

Megjithatë Haxhiu në fund të emisionit është tërhequr paksa për tri figurat e përmednura për president.

“Për tri figura mund të keqkuptohem. Për Murat Jasharin, Rexhep Qosjen dhe Veton Surroin nuk them nëse duhen të bëhen presidentë në të ardhmen por në këto rrethana nuk duhen votuar”, tha më tej Haxhiu.