Analistët: Propozimi i Kadri Veselit për pezullim të taksës, i qëlluar

05.02.2019 22:27:22

Kryeparlamentari, njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ditë me parë ka ofruar në letër idenë e tij për pezullimin e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës për 120 ditë.

Në letrën e Veselit përfshihen një sërë masash që duhet të ndërmarrin këto dy vende, nëse nuk duan që pas 120 ditësh të përballen me pasoja edhe me të mëdha se ato që dalin nga taksa e cila është tani ne fuqi.

Veseli, në fillim të kësaj jave, ua ka dorëzuar liderëve të koalicionit qeverisës propozimin e tij me shkrim për pezullimin e taksës për 120 ditë, në mënyrë që të ruhen interesat e Kosovës dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, sot pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se taksa ndaj Serbisë do të vazhdojë deri në momentin kur Serbia ta njohë Kosovën.

E në anën tjetër, kjo ide e Kadri Veselit është parë si shumë e qëlluar nga analistët në vend.

Analisti politikë, Ramush Tahiri, ka thënë për lajmi.net se mendon që kryeministri Ramush Haradianj duhet që të pranojë propozimin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli për pezullim të taksës 120 ditë.

Ai ka thënë se propozimi i Veselit është shumë konkret dhe i bazuar në ligje.

“Po unë mendoj se duhet që ta pranoj, sepse propozimi i Kadri Veselit është shumë më i mirë sesa që është taksa për arsye politike. Sepse propozimi është shumë konkret është i bazuar në ligje, në ligje të Kosovës, por edhe në të CEFTAS, dhe ato ndërkombëtare. Janë konkrete dhe të pranueshe dhe deri sa ka pasur kritika për taksën nga të gjitha vendet. Letrën e Veselit nuk ka kritika, madje as nga Serbia që kjo nuk është e zbatueshme, ose e keqe ose nuk mund të bëhet për arsye se është reciprocitet i plotë , parashihet respektimit i marrëveshjeve të Brukselit, ashtu siç janë marrë vesh për tabelat dhe të gjitha edhe është e pranueshme, bile shumë. Unë mendoj që pezullimi i taksës nuk është gabim i Haradinajt as keq për Haradinajn sepse taksa mbetet, arsyet që i kanë vendosur mbetën”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij zgjedhja e vetme është pezullimi i taksës, sepse pezullimi i taksës në as një variant nuk do të thotë që, siç thotë ai, Ramush Haradinaj koritet.

Ndërsa, analisti Arben Fetoshi, rezistencën e kryeministrit Ramush Haradinaj e sheh si përpjekje konsistonte që të avancoj pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Rezistencën e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos hequr dorë nga tarifa prej 100 për qind për mallrat që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, e shoh si përpjekje konsistonte që të avancoj pozitën e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe përgjithësisht pozicionin ndërkombëtare të Kosovës duke pasur parasysh edhe qëndrimin e fundit të zëdhënëses së BE-së Maja Kocijanciq, për “Trepçën” dhe natyrisht që kjo qasje e segmenteve të caktuar ndërkombëtare duhet që të marr fund”, ka thënë Fetoshi.

Ai po ashtu ka thënë se tani Kosova është në fazën e përpjekjeve për të gjetur një zgjedhje, e cila sipas tij do të zhbllokonte procesin e dialogut me qëllim që t’i jepet shanse arritjes së një marrëveshje.

Sipas tij, duke pasur parasysh kushtëzimet e vazhdueshme të Serbisë për vazhdimin e dialogut, siç thotë ai, në ditët në vazhdim ne do të shohim realizimin e idesë së kryeparlamentarit Veseli, në kuptimin që jo të hiqet taksa por të fillohet një proces i ri reciprocitetit.

“Duke pasur parasysh që Serbia në vazhdimësi është duke e kushtëzuar me tarifën vazhdimin e dialogut, atëherë besojë që në ditët në vazhdim ne do të shohim realizimin e idesë së kryeparlamentarit Veseli, në kuptimin që jo të hiqet taksa por të fillohet një proces i ri reciprocitetit i cili do të nënkuptonte pezullimin e taksës për t’i dhënë shanse respektimit ose ndryshimit të qasjes agresive të Serbisë kundrejt Kosovës, duke pasur parasysh idenë e tij që të mos futën në Kosovë mallra me mbishkrime “Kosovo Metohije” etj”, ka thënë Fetoshi.