Arrestohet Jakovljeviq në Serbi, reagon Haradinaj

10.01.2019 12:20:16

Haradinaj ka reaguar ndaj arrestimit të qytetarit të Kosovës me kombësi serbe Nebojsa Jakovljevic nga autoritetet serbe në Merdarë.

Haradinaj një postim në rrjetin e tij social Facebook, ka thënë se ndalimi i Nebojsa Jakovljeviq nga autoritetet e Serbisë në Merdarë, është veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës.

“Jakovljeviq është këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pjesë e partisë SLS dhe vëllai i nënkryetarit të Komunës së Obiliqit, familjen e të cilit e kam vizituar gjatë muajit dhjetor. Qeveria e Kosovës dënon ashpër këtë formë të presionit dhe kërcënimit nga ana e Serbisë për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës”, ka thënë Haradinaj.

Ai po ashtu theksoi se ky veprim, nuk është i vetmi dhe as i izoluar, por është pjesë e një fushate të orkestruar të pushtetit serb, për ta kërcënuar drejtpërdrejt sigurinë e vendit tonë.

“Kosova është e përkushtuar për dialog, që mundëson arritjen e një Marrëveshjeje përfundimtare me shtetin fqinj dhe secili akt që pengon këtë frymë është i papranueshëm”, u shpreh ai.

Kryeministri Haradinaj iu bëri apel zyrtarëve të Bashkimit Evropian (BE) si dhe Bashkësisë Ndërkombëtare që të reflektojnë për t’i bërë presion Beogradit të  ndaloj menjëherë veprimet e tilla.

“Apeloj tek zyrtarët e BE-së si dhe tek Bashkësia Ndërkombëtare, që të reflektojë për t’i bërë presion Beogradit të ndalojë menjëherë veprimet e tilla të njëpasnjëshme kundër qytetarëve të Kosovës, të cilat tregojnë qartë rrugën që ka zgjedhur Serbia kundër lëvizjes së lirë, frymës evropiane të bashkëpunimit si dhe vlerave të përbashkëta’, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, Haradinaj ditë më parë ishte mysafir në familjen e Slavisa Jakovljeviq në Plemetin të Obiliqit, ku ishte shprehur se do t’i qëndrojnë afër gjithmonë komunitetit serb në Kosovë.