Ata që nuk duan që LDK ta ketë kryeministrin e vendit, duan që kryeminsitër të jetë Ramush Haradinaj, ose Albin Kurti

25.05.2017 17:38:26

Nga Rexhep Kastrati

Edhe pse ka një vullnet për një unitet politik brenda LDK-së, e që po shprehet edhe me një entuziazëm dhe optimizëm nga ana e mbështetësve të saj, megjithatë ka tendenca që të dëmtohet ky unitet dhe ky optimizëm, me keqinterpretime ndër më të ndryshmet qoftë të çështjes se koalicionit që LDK pat me PDK-në, qoftë edhe të filozofisë politike të presidentit Rugova. Edhe pse një pjesë e tyre tashmë janë parë hapur në krah të drejtesve të sektës okulte të Albinit, ose në krah të Ramush Haradinajt, megjithatë nuk pushojnë se paraqituri në emër të filozofisë politike të presidentit Rugova, me qëllim përbaltjen dhe përçarjen e LDK-së dhe dekurajimin e mbështetësve të saj.

Megjithëse e kam trajtuar disa herë çështjen e koalicioneve qeverisëse, dhe kam argumentuar se të gjitha koalicionet e LDK-së me parti të tjera janë të panatyrshme dhe të zorit, prapë se prapë duhet të ritheksoj atë që tashmë po e peanojnë të gjithë: PDK, AAK, Nisma dhe sekta okulte e Albinit janë njësoj, prandaj edhe LDK në pamundësi që ta bëjë Qeverinë e vetme, ka qenë dhe vazhdon të jetë e detyruar të bëjë koalicione të panatyrshme me të gjitha këto parti, varësisht nga konteksti dhe nga bashkërendimi me aleatët euro-atlantikë. Që nga zgjedhjet e para të përgjithshme më 2001, LDK gjithnjë ka qenë në pozitë që i janë imponuar koalicionet, ose të rrinte në opozitë. Dhe kjo ka ndohur edhe kur i fitonte zgjedhjet, edhe kur nuk i fitonte ato. Historia e koalicioneve është histori e koalicioneve o me PDK-në, o me AAK-në. Dhe në të gjitha këto koalicione, LDK ka dhënë pushtetin e fituar me votë. Përjashtim ka bërë vetëm koalicioni i fundit me PDK-në, kur për herë të parë LDK mori pushtetin, edhe pse në zgjedhje kishte qenë e dyta. Dhe kjo është pjesa më e ndritshme e LDK-së jo vetëm e këtyre 9 viteve pavarësi, por edhe më parë, pasi që me qeverisjen e saj, shmangi krijimin e një koalicioni PDK-AAK-Nisma, pra edhe të një Qeverie nga këto parti, ashtu siç po pretendohet të realizohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Prandaj, të gjithë ata që kanë qenë kundër koalicionit me PDK-në, në fakt kanë qenë për koalicion PDK-AAK-Nisma. Një pjesë tjetër, e kritikuesve të koalcionit LDK-PDK, me ç’rast Qeverinë e drejtonte LDK, parapëlqen një koalicion LDK -VV, e në të cilin VV do të kishte kryeministrin, pra drejtimin e Qeverisë. Të dyja këto dy grupe, në fakt janë militantë të partive të tjera, por që ende fshihen mbrapa emrit të LDK-së dhe të filozofisë politike të presidentit Rugova. Një arsye tjetër se përse kjo është pjesa më e ndritshme jo vetëm e këtyre 9 viteve pavarësi, ka të bëjë me faktin se për herë të parë LDK dëshmoi një model qeverisës që pati rezultatet më të mëdha se të çdo qeverisjeje më parë, edhe pse në rrethana të jashtëzakonshme. Po ashtu, për herë të parë pat një frymim demokratik dhe një pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve në debate për çështje të rëndësishme për vendin, etj. Tashmë të gjithë qytetarët pajtohen se këto dy vite e gjysëm të qeverisjes së LDK-së nuk ka pasur afera qeverisëse, se ka pasur mirëmenaxhim të financave shtetërore, që ka pasur rritje ekonomike dhe se kjo qeverisje është më e mira që ka pasur Kosova. Edhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdulah Hoti që menaxhoi financat shtetërore, nuk po akuzohet për ndonjë aferë korruptive, apo edhe për ndonjë keqmenaxhim tjetër. Dhe ky është sukses i madh që tashmë LDK e ka si kartë identiteti para qytetarëve, edhe për zgjedhjet e 11 qershorit.

Një çështje tjetër që po keqpërdoret kundër LDK-së është filozofia politike e presidentit Rugova, e cila nga këto dy grupe, pra edhe nga ata që duan një koalicion PDK-AAK-Nisma, edhe ata që duan një koalicion LDK-VV, por që fshihen mbrapa emrit të LDK-së dhe mbrapa filozofisë politike të presidentit Rugova. Këta e paraqesin filzofinë politike të presidentit Rugova si të kundërtën e saj. Këta injorantë dhe teveçelë, që janë në nivel të një tribalizmi politik, le që nuk  ekanë idenë se çka është filozofia politike e presidentit Rugova, por as që kanë parasysh së paku përvojën dhe historinë e koalicioneve dhe të angazhimeve të presidentit Rugova. Se po t’i kishin parasysh gjithë këto, atëherë do të merrnin frymë thellë para se të rrenin dhe të keqpërdornin emrin presidentit Rugova dhe të filozofisë së tij. Presidenti Rugova nuk ka qenë kurrë përjashtues, nuk ka qenë ekskluzivist, e as nuk ka rënë kurrë në nivelet e tribalizmit politik dhe të njëretorike agresive, përbaltëse dhepërçarëse. Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ka punuar brenda LDK-së me të gjitha ideologjitë dhe me të gjitha grupet që përfaqësonin ato ideologji. Gjatë lutës, ka krijuar grupe gjithëpërfshirëse siç ishin G15 dhe G5, kurse në Rambuje pranoi që udhëheqjen e delegacionit në Rambuje ta bënte Hashim Thaçi. Edhe gjatë zgjedhjeve, presidenti Rugova ka bërë koalicion me PDK-në dhe me AAK-në, dhe ua jepte pushtetin, sepse qëllim kishte të bënte shtetin. Dhe kjo traditë ka vazhduar edhe pas vdekjes së presidentit Rugova, përkatësisht pas zgjedhjeve të vitit 2007, të parat të fituara nga PDK, pas çarjes së LDK-së nga ata që edhe sot duan ta bëjnë të njëjtën gjë, por që bizneset dhe interesat tjera i kanë pikërisht pas ardhjes së PDK-së në pushtet. Koalicioni PDK-LDK i vitit 2007 e bëri Hahsim Thaçin kryeministër, por megjithatë nuk u satanizua sikurse koalicioni PDK-LDK që e bëri kryetarin e LDK-ë kryeministër. Në të dyja rastet, PDK ishte parti e parë, kurse LDK – parti e dytë. Pra, kur LDK bëri koalicion me PDK-në dhe e bëri Hashim Thaçin kryeministër, nuk kishte fare problem, kurse problem paska pasur kur LDK ka bërë koalicion me PDK-në, kur kryeministrin e mori LDK. Dhe që këtu çirret maska e të dy grupeve: të grupit që duan një koalicion PDK-AAK-Nisma, por edhe të grupit që duan një koalicion LDK-VV me kryeministër nga radhët e VV-së. Këtyre grupeve nuk u pengojnë koalionet që drejtimin e qeverisjes e kanë partitë tjera, por u pengojnë koalicionet në të cilat drejtimin e qeverisjes së vendit e ka LDK.

Pabesia e PDK-së nuk është as e para, por jam i bindur se nuk do të jetë as e fundit, pasi historia e pabesive kanë filluar hapur dhe në masë të madhe dhe me pasoja të rënda ka filluar më 28 shkurt 1998 në Kuvendin e III të LDK-së, në të cilin grupi i marksist-leninistëve në krye me Hydajet Hysenit u larguan nga LDK dhe kështu i vunë bazën rrënimit të sistemit të organizuar nga shqiptarët që nga 2 korrikut 1990 dhe i hapën rrugën përçarjeve të mëdha e që u reflektuan edhe në frontet e luftës, edhe në çështjen e përfaqësimit politiko-institucional të Kosovës. Pabesia e dytë e madhe ishte mosrespektimi marrëveshjes për një Qeveri LDK-UÇK-LBD, pasi kjo u bë në kushtet kur presidenti Rugova mbahej peng-rob lufte. Pabesia tjetër e madhe është edhe ajo që lidhet me koalicionin PDK-LDK të vitit 2007, i cili u prish nga ana e PDK-së, edhe pse vetë ishte drejtuese e Qeverisë. Prandaj, edhe pabesia e fundit nuk është jashtë mendsësisë së saj, dhe si e tillë vetëm sa duhet të bindë të gjithë qytetarët, të gjitha qarqet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare se qeverisja me PDK-në është e vështirë, dhe se duhet të ndëshkohet me votë, e që do të thotë se duhet të mos votohet koalicioni PDK-AAK-Nisma, por të votohet koalicioni LDK-AKR-Nisma. Kurse me idiotësinë e tyre, grupet që duan një koalicion PDK-AAK-Nisma, dhe një koalicion LDK-VV me kryeministër nga VV, po kontribuojnë në fuqizimin e koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe të VV-së në dëm të LDK-së. E cilësia e koalicioneve paszgjedhore të LDK-së do të varet shumë nga rezultati që do të arrijë në zgjedhje. Një fitore e LDK-së, dhe për më tepër një fitore e ndjeshme, do t’ia bëjë më të forta pozitat negociatore të saj në cilindo format koalicionesh që do të jetë e detyruar ta bëjë. Dhe për ta pasur më të qartë këtë mjafton të kujtojmë faktin se VV pretendoi që LDK të shkrihej në listën zgjedhore të saj, pra që të humbiste identitetin e saj, ose ta lejonte kandidatin për kryeministër ta kishte VV.