Atentati ndaj Azem Vllasit, kërcënimet e Murat Jasharit, paralajmërimi i burrit të Albulena Haxhiut më 2015 për mobilizim, a po thonë se cak i atentatit mund të jetë edhe kryeministri Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij?

13.03.2017 21:07:50

Nga Rexhep Kastrati

Tashmë ka rënë poshtë versioni se Azem Vllasin e ka plagosur një palë të cilin, ai nuk kishte dashur ta përfaqësonte, dhe është bërë e qartë se ky atentat ishte organizuar dhe planifikuar më parë. Këtë e ka pohuar vetë atentatori, Murat Jashari,i cili kishte kërcënuar se do të pasonin atentate të tjera ndaj kryeministrit Mustafa, Hashim Thaçit, Kadri Veselit etj. Në këtë mënyrë, janë mjaftueshëm të qarta këto që ka thënë Murati për të kuptuar se bëhet fjalë për një akt terrorist, që është organizuar nga një organizatë terroriste. Është kështu për faktin se pvarësisht motiveve të deklaruara, duhet thënë se ky atentat i ka të gjitha elementet e një akti terrorist, pasi që është planifikuar, organizuar dhe realizuar për motive të qarta politike. Së këndejmi, duhet thënë se kemi hyrë në një fazë të rrezikshme kur nuk përjashtohen aksionet terrioriste që kanë për qëllim të likuidojnë personalitete të rëndësishme politike dhe shtetërore. Pranimi i hapur nga Murat Jashari i këtij qëllimi, është një dëshmi se mbrapa tij qëndron ndonjë organizatë e organizuar dhe me lidhje të forta edhe në institucionet e sigurisë dhe në institucione të tjera shtetërore.

E kam thënë edhe në komente të tjera, dhe po e përsëris prapë se jantë gjitha elementet për të besuar se mbrapa Murat Jasharit qëndron ndonjë organizatë që ka lidhje me sektën okulte të Albinit, apo edhe e themeluar nga vetë kjo sektë. Postimi në facebook i një të ashtuquajturi publicist i punësuar në sektën okulte të Albinit, e që kishte thuasje të njëjtin mesazh sikurse Murat Jashari, është elementi i parë që e bën të besueshëm këtë ndërlidhje. Në anën tjetër, duke qenë një nga zyrtarët më të lartë partiakë dhe shtetërorë të Kosovës gjatë viteve ’80 të shekullit të kaluar, Azem Vllasi ka pasur dhe ka gjithë informacionet për të gjithë pjesëtarët e sektës okulte të Albinit, por edhe të partive të tjera. Siç dihet, shumica e prindërve të drejtuesve të sektës okulte të Albinit, kanë dalë të kenë pasur pushtet të niveleve të ndryshme gjatë komunizmit, një pjesë e të cilëve me rol jo të mirë për kohën, siç është përmendur babai i Erzen Vraniqit, për të cilin është thënë se ka dhënë lejen për ndërtimin e kishës në oborrin e kampusit universitar të Universitetit “Hasan Prshtina” të Prishtinës.

Një argument tjetër që nuk mund të anashkalohet, dhe që e lidh gjithë këtë punë me sektën okulte të Albinit, është edhe paralajmërimi i Alban Krasniqit, burrit të Albulena Haxhiut se shumë ushtarë e komandantë, e bile edhe themelues te UÇK-së, tashmë po mobilizohen”, e që do të thotë se në atë kohë, veçse kishte filluar organizimi dhe mobilizimi për të kryer aksione të ndryshme pra, edhe atentate si ky ndaj Azem Vllasit. Mobilizimi i deklaruar publikisht nga burri i Albulena Haxhiut, në këtë mënyrë del të jetë realizuar gjatë këtyre viteve dhe tashmë kur kanë dështuar të gjitha format e dhunshme për të destabilizuar vendin dhe për të nxitur luftë vëllavrasëse, duan që këtë ta bëjnë nëpërmjet atentateve të ndryshme.

Dhe fillimi i atentateve që përkon me paralajmërimet ruse, dhe të prësëritura edhe nga Baton Haxhiu për rrëzimin e Qeverisë deri në muajin mars, e bën edhe më të qartë prapavijën agjenturore dhe serbo-ruse të këtyre atentetave që është forma ndërmjet terrorizmit dhe një lufte brendashqiptare, e që është e drejtuar kundër linjës institucionaliste të presidentit Rugova, që po udhëhiqet me vendosmëri dhe me sukses nga kryeministri i vendit, Isa Mustafa. Prandaj, edhe pse në kërcënimin e Murat Jasharit, përmenden edhe të tjerë, megjithatë ky kërcënim për atentat është e drejtuar kundër kryeministrit Mustafa dhe kundër linjës institucionaliste që ai po drejton, përkatësisht për institucionet e shtetit të Kosovës që përballuan me mbështetjen ndërkombëtare të gjitha sfidat dhe format e gjertanishme të tribalizmit politik, anarkizmit të dhunshëm deri në kufijtë e terrorizmit.

Dhe ky fillim i atentateve duhet të kuptohet edhe në kontekst të vështirësive që ka hasur procedimi i Hashim Thaçit në ballafaqim me SHBA-të dhe me NATO-n, të cilët kanë kërkuar që transformimi i FSK-së në FA të bëhet me ndryshime kushtetuese, e jo nëprëmjet ligjit, për çka edhe LDK është deklaruar se do të bështesë këtë proces në bashkërendim me partnerët tanë strategjikë: SHBA dhe NATO-n. Duket se ky qëndrim i partnerëve tanë strategjikë, si dhe qëndrimi i LDK-së në përputhje me këta partnerë, ka rritur shumë tensionet e brendshme në linjën e Tiranës/Kretës, që shohin se kjo nismë mund të mos realizohet, ose të vazhdojë si proces në bashkërendim me partnerët tanë strategjikë, e që do të paraqiste ose pafuqinë e tyre për të imponuar veten, ose fundin e tyre.

Frika se këmbëngulja që ky proces të vazhdohet pa bashkërendim me SHBA-të dhe NATO-n mund të fusë në konflikt serioz me to, duket sheshit derisa linja e Tiranës/Kretës ka mobilizuar edhe korpusin medietik të kontrolluar nga ajo dhe përgjithësisht nga strukura mafiozo-politike dhe agjentura kundërshqiptare, e të cilat po bëjnë gjithçka, e ku lajmet e rreme, janë vetëm pjesa më e lehtë e atyre që po bëjnë, kundër kryeministrit Mustafa, kundër LDK-së dhe kundër gjithë atyre që duan që procesi i themelimit të ushtrisë së Kosovës të bëhet në partneritet me SHBA-të dhe NATO-n.

Edhe bashkimi i Ramushit me Hashim Thaçin lidhur me akuzat ndaj LDK-së dhe kryeministrit Mustafa, si pengues të formimit të ushtrisë së Kosovës, e që dolën tashmë të jenë rrenë e kulluar dhe përpjekje për të fshehur pazaret që mund të kenë bërë me serbët dhe me Serbinë gjatë vitit 2014, është një dëshmi se janë mobilizuar në aktin e fundit para fundosjes së tyre, me logjikën eskatologjike: pas nesh le të bëhet kijameti.