Avdullah Hoti: Kërkojmë Komision për zbardhjen e rastit të deportimit të shtetasve turq

04.04.2018 14:55:53

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti e ka cilësuar si kidnapim deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi.

Ai ka thënë se me rastin e deportimit të shtetasve turq janë shkelur të drejtat e njeriut dhe veprimet e tilla janë kundër orientimit euro atlantik të Kosovës.

“Ne shtetin demokratik të Kosovës të deportuarve nuk iu është lejuar asnjë kontakt me familjarët e tyre. AKI-ja kishte kërkuar revokimin  e leje të qëndrimeve të këtyre personave, me arsyetimin se e cenojnë sigurinë kombëtare. Si mund të ndodhte kështu kur këta njerëz që kishin arsimuar gjenerata të tëra, ku 80 për qind të politikanëve i kishin shkolluar fëmijët në kolegjet ‘Mehmet Akif”, ka shtuar Hoti.

Shefi i GP-së së LDK kërkoi rezolutë lidhur me këtë çështje.

“Kërkojmë rezolutë që drejtori i policisë, drejtori i AKI-s, kryeprokurori i shtetit, ministri i Brendshëm, ai i Jashtëm, ai i Drejtësisë të raportojnë brenda tri ditësh me shkrim për procedurat që janë ndjekur me këtë rast. Kërkojmë formimin e Komisionit parlamentar për të zbardhur këtë rast. Përgjegjësit e këtij skandali të japin përgjegjësi sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kuvendi i Kosovës kërkon nga institucionet e rendit që përgjegjësit e këtij skandali t’iu sigurohet e drejta për gjykim të drejtë dhe transparent, përfshirë edhe të drejtën e ankesës”, ka thënë ai.