Azem Vllasi është liruar nga spitali, por vazhdon t’u nënshtrohet ekzaminimeve

Azem Vllasi është liruar nga spitali, por vazhdon t’u nënshtrohet ekzaminimeve

14.03.2017 14:26:56

Avokati Azem Vllasi, mbrëmë është liruar për në shtëpi. Vllasi ka qëndruar në Klinikën e Traumatologjisë duke iu nënshtruar ekzaminimeve të ndryshme nga ana e mjekëve pas plagosjes nga Murat Jashari, mëngjesin e ditës së hënë.

Lajmin se Vllasi është liruar mbrëmë nga spitali, e ka konfirmuar bashkëshortja e tij, Nadira Avdic-Vllasi.

“Mbrëmë ka qenë në shtëpi. Sot jemi në spital për t’i përfunduar edhe disa ekzaminime”, ka thënë ajo .

Ndërkohë, deri më tani sipas mjekëve të QKUK, Vllasi ka një lëndim në regjionin e shpatullës. “Nuk ka gjakderdhje e cila mund ta komprometojë gjendjen e tij shëndetësore”.

“Plumbi ka hyrë në pjesën e përparme, dhe ka shkaktuar një thyerje të ashtit të krahut. Pasi nuk kishte problem për heqjen e plumbit, ajo u bë me anestezion lokal. Vllasi lëviz dhe ecë nuk ka probleme”, kishte thënë Arben Grazhdani mjek në QKUK.

Ndërkohë që policia ka arrestuar dy persona si të dyshuar për tentim-vrasjen e Vllasit. Sot gjatë ditës pritet të mbahet seanca për ta.

Avokati Azem Vllasi është plagosur sot në mëngjes te banesa e tij në rr. “Hajdar Dushi”, në Prishtinë. Policia rastin e ka cilësuar si tentim-vrasje.