B. Dortmund leksion B. M’Gladbach

03.12.2016 21:21:36

Borussia e Dortmundit rikthehet te fitorja në Bundesligë duke shkëlqyer. Në “Signal Iduna Park”, verdhezinjtë e Thomas Tuchel mposhtën lehtësisht me rezultatin e thellë 4-1 Borussia Moenchengladbach duke thelluar krizën e skuadrës së Andre Schubert. Një fitore e merituar për Borussian e Dortmundit nën shenjën e Pierre Emerick Aubameyang. Sulmuesi nga Gaboni realizoi dy gola në këtë sfidë duke kapur kuotën e 15 finalizimeve në kampionat dhe tashmë e sheh veten të shkëputur në krye të listës së golashënuesve. Megjithatë sfida nisi në malore për Dortmundin që u ndëshkua nga Gladbahu që në minutën e 6-të me brazilianin Raffael që arriti të mposhte portierin Weidenfeller. Por vetëm 1 minutë më pas Aubameyang i asistuar nga Reus vendosi sërish baraspeshën ndërkohë që polaku Lukaz Pisczek pas cerek ore lojë kaloi për herë të parë në avantazh në këtë ndeshje, verdhezinjtë me golin e 2-1. Në pjesën e dytë kishte vend edhe për dy finalizime të tjera të Dortmundit që mbajnë firmat e Aubameyang dhe Dembele për rezultatin final 4-1.
Nuk di më të fitojë Bayer Leverkusen.

Në “Bayarena”, skuadra e Roger Schmitd ngeci në një barazim 1-1 përballë Freiburgut që në sfidën ndaj Aspirinave nuk kishte në dispozicion Amir Abrashin. Haberer në minutën e 30-të realizoi golin e epërsisë për miqtë. Leverkuseni e rriti ndjeshëm nivelin e lojës në pjesën e dytë dhe në minutën e 60-të Calhanonglu përfitoi nga një pasim perfekt i Brandt për të barazuar shifrat. Shumë raste të shpërdoruara nga vendasit gjatë minutave në vazhdim, por mundësinë ideale për ti dhënë fitoren Leverkusenit e kishte Javier Hernandez në minutën e 88-të. Chicarito gjithsesi nga 11-metra distancë goditi shumë keq duke shpërdoruar penalltinë e fituar nga Wendell, me portierin Schwolow që ndali lehtësisht tentativën e sulmuesit meksikan.