Barça mposht Bilbaon, Mesi 25 gola në La Liga

18.03.2018 20:22:01

Barcelona ka kaluar pengesën e vështirë me emrin Atheltic Bilbao duke fituar me rezultatin 2-0 në Camp Nou. Ishte një ndeshje që pritej të ishte e vështirë për vendasit për shkak të intensitetit të lartë që shfaq Bilbao por dy gola të shpejtë “vranë” ndeshjen dhe pas asaj pike Barça vetëm menaxhoi avantazhin me një mjeshtëri të madhe falë eksperiencës së madhe duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për titull duke parë edhe përballjen e vështirë që ka Atletico Madrid që luan jashtë ndaj Villarreal.

Që në minutat e para Messi rrezikon portën kundërshtare por portieri shpëton ekipin e tij. Por në minutën e 8’ Paco Alcacer zhbllokon rezultatin falë pasimit të bukur të Jordi Alba. Ky ishte asisti i tetë i tij këtë sezon, asnjë mbrojtës nuk ka bërë më mirë se ai. Pas golit Barça merre zemër dhe ka disa mundësi të mira për të dyfishuar dhe Coutinho godet traversën në minutën e 14’ pas një goditjeje potente nga brenda zonës.

Në minutën e 30’ Lionel Messi ka shënuar golin e 25-të në La Liga…për të nëntin vit radhazi. Një makineri golash që këtë herë u asistua nga francezi Dembele nga e djathta përpara se argjentinasi të shënonte golin e tij të parë nga jashtë zonës për këtë sezon. Pas pushimit Barça ul ritmin dhe ruan rezultatin pozitiv duke mos lejuar Bilbao-n të rrezikojë për asnjë moment portën e ter Stegen.