Basha: Rama sot u tërhoq edhe nga propozimet që vetë i loboi

03.05.2017 18:55:35

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha flet pas takimi që zhvilloi me kryeministrin Rama në Presidencë.

Ai tha se në takim nuk shkoi për interesat e tij pot për atë të qytetarëve. “Unë shkova në këtë tryezë ashtu si ju premtova ju, me vullnetin e plotë për të mos kërkuar, pranuar dhe marrë asgjë për përfitimet politike të miat, PD dhe opozitës, por po kështu për të mos lëshuar asgjë nga të drejtat legjitime hyjnore të qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për votën e lirë si themeli i bashkëjetesës demokratike.

Shkova me zotimin e marrë nga partnerët ndërkombëtarë dhe veçantë PPE, se PD dhe unë personalisht nuk do të lë më asnjë mundësi pa eksploruar me kushtin e vetëm që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Dy janë kolonat e vullnetit politik,  pa të cilat asnjë mekanizëm nuk funksionon: As ndryshimet në kodin  zgjedhor, as në atë penal nuk kanë vlerë nëse janë në dorë të të njëjtit mekanizëm që kanë qenë në këto 4 vite.

Dje kambanat e Europës kanë rënë për çdo shqiptar, dhe për Edi Ramën. Shqipëria është në krizë politike dhe kërkohet zgjidhje politike. Ky që kishte fërkuar duart me lobistët e tij, kishte shpresuar të pamundurën që ne kallëzuesit e problemeve të Shqipërisë të tregoheshim si fajtorë, dje e kuptoi se edhe kur investon me lobiste, kur gënjen me media të kapura, e vërteta vonon por një ditë arrin në stacion.

E vërteta ka mbërritur në stacionet e mëdha të perëndimit. Droga dhe krimi janë kërcënimi për zgjedhjet e ardhshme. Pa zgjidhje për krimin e veshur me pushtet, pa zgjidhje të vërtetë, politike nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje në Shqipëri. Pra nuk do të ketë as bojkot se ne vetëm duarkryq nuk do të rrime.

Nuk do të rrimë duarkryq. Kemi ofruar sot gjithçka që PD mund të ofrojë për zgjidhjen, pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar që vetë i loboi që në vetvete ishin shumë më pak për të siguruar garancinë”, tha Basha.