Bastisja ndaj Kryqit të Kuq të Serbisë, konfiskohen dokumente për regjistrimin e popullsisë

14.09.2017 16:41:27

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me autorizim të prokurorit të prokurorive themelore të rajoneve të Prizrenit, Pejës, Prishtinës, Gjilanit dhe Mitrovicës, dje ka zhvilluar disa kontrolle të hapësirave të Kryqit të Kuq të Serbisë, dhe në disa vendbanime të disa punonjësve të kësaj organizate, me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar dokumente të ndryshme.

Dokumentacionet e konfiskuara dyshohet se kanë të bëjnë me regjistrimin e popullsisë, dokumentacione këto që vlerësohet të jetë të dyshimta dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, pasi që regjistrimi i popullsisë bëhet nga institucionet kompetente të Kosovës, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.

Policia njofton se gjatë këtij operacioni ka intervistuar disa individë që në momentin e kontrollimeve janë hasur në ato hapësira, në të cilat është gjetur materiali për regjistrim të popullsisë.

Më tej thuhet se gjatë realizimit të operacionit policor në Mitrovicë-Veri, disa zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime pasi janë sulmuar nga disa persona të dyshuar, ndaj të cilëve është iniciuar rasti sulm ndaj personit zyrtar.