Bayerni “shpërftyroi” Hamburgun, Dortmund e Leipzig “ok” (Foto)

25.02.2017 17:49:38

Bayern Munich e “shpërftyruar” Hamburgun me rezultat të thellë 8:0 . Në vitet e fundit është kthyer në një traditë goleada ndaj ekipit gjermano-verior dhe sot nuk bën përjashtim. Një paraqitje spektakolare e bavarezëve kundër ekipit të Mavrajt, i cili ishte i pafuqishëm kundër sulmit potent të vendasve. Me këtë fitore Bayern ruan distancën nga vendi i dytë duke vazhduar marshimin drejt titullit kampion.

Është gjithmonë diçka e bukur kur ke kundër një ekip ndaj të cilit shënon shumë gola. Bavarezët e filluan ndeshjen në sulm dhe nuk i duhet shumë për të gjetur golin e avantazhit, dhe çfarë goli! Në minutën e 17-të Alaba merr krahun nga e majta dhe paso për Muller brenda zonës, gjermani nuk është në pozicion për të goditur dhe ia shtron Arturo Vidal, i cili godet bukur duke nisur festivalin e golave.

Shtatë minuta më pas Mavraj bën një ndërhyrje të parregullt kundër Thomas Muller brenda zonës dhe arbitri akordon një penallti, e cila shndërrohet në gol nga Robert Lewandowski. Pak përpara se të përfundonte pjesa e parë Bayern thellon rezultatin kur Lewandowski ndodhet në vendin e duhur në momentin e duhur dhe bavarezët hyjnë në dhomat e zhveshjes me tre pikët e hipoketuara.

Por vendasit nuk e ulin ritmin aspak edhe pas pushimit të ndeshjes, dhe në minutën e 54-rt Lewandowski shfrytëzon një pasim me thembër të Robben për të lëshuar një goditje të pakapshme drejt portierit Adler. Hamburg është drejt fundosjes teksa Alaba thellon rezultatin në 5 me 0 pas një kombinimi të bukur me Muller, i cili ka marrë pjesë në tre gola të shënuar nga bavarezët.

Por Bayern nuk ka të ngopur, Hummels lëshon një kros perfekt nga prapavija për Koman, i cili nuk e ka të vështirë të mundë për të gjashtën herë portierin mik. Katër minuta më pas vjen edhe goli i shtatë, dhe është sërish Koman ai që përfiton nga një rrëmujë në zonë për të shtuar turpërimin e Hamburger SV. Në fund të ndeshjes ka kohë edhe për Robben të shkruajë emrin e tij në listën e golashënuesve me një gol tipik të tijin pas një aksioni personal.

Borssia Dortmund nuk gjeti një kundërshtar të vështirë në “Schwarzwald-Stadion” teksa djemtë e Tuchel mundën pa shumë probleme Freiburg me rezultatin 3:0. Ishte greku Sokratis ai që zhbllokoi rezultatin për udhëtuesit pas një krosi të përsosur të Guerrero. Më pas ishte Aubameyang ai që me dy golat e tij të shënuar në pjesën e dytë i dha një fitore tepër të rëndësishme Borussia-s që është në luftë për vendin e dytë në renditje.