BE, apel juristëve shqiptarë: Aplikoni për komisionet e “Vetting”-ut

06.02.2017 16:43:23

Delegacioni i Bashkimit Europian bashkon zërin me ambasadën e SHBA-së dhe Avokatin e Popullit po ashtu, duke u bërë thirrje thirrje jusristëve shqiptarë të kualifikuar të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Rivlerësimit, për të plotësuar kështu anëtarët e ligjit të ashtuquajtur të “Vetting”-ut.

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri i bën thirrje të gjithë shqiptarëve të kualifikuar, brenda dhe jashtë vendit, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Rivlerësimit”, thuhet në një njoftim për shtyp në “Facebook”.

Numri i aplikuesve ka shkuar në 12 deri në mesditën e së hënës, duke u dyfishuar që nga thirrja e ambasadorit Lu, të shtunën. Numri i vendeve që duhen plotësuar është 27; 12 në Komisionin e pavarur të Kualifikimit, 7 në Kolegjin e Apelimit, 2 komisionerë publikë dhe nga 2 zëvendësues për secilin organ.

Me aplikimet e insitucioneve të reja të Drejtësisë ka ndodhur shpesh që veprimet të kryhen nga kandidatët pak përpara skadimit të afatit, që në këtë rast është data 9 shkurt.a

Kandidatëve u duhet të dorëzojnë 2 kopje dokumentesh, përfshirë një shkresë të nënshkruar prej tyre, ku aplikuesi pranon kufizimet e posaçme për fshehtësinë në komunikimet elektronike, gjatë kohëzgjatjes së mandatit si anëtar i institucioneve të rivlerësimit.

Plot 11 janë kriteret ligjore për të qenë kandidat. Kushti i parë është diplomimi si jurist, e pastaj vijnë me radhë kritere me standardet shumë të larta profesionale dhe morale të kandidatëve. Pjesë e kërkesave është edhe vjetërsia në punë në fushën e së drejtës, të mos ketë qenë subjekt i ligjit të Dekriminalizimit, të mos ketë qenë anëtar apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, të mos jetë mbi 65 vjeç, si dhe njohja shumë e mirë e gjuhës angleze.

Detajet e plota të aplikimit gjenden në faqen online të Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit do të ngrejë organet e vetingut dhe delegacioni i BE-së publikon në profilin e saj në “Facebook” apelin e këtij institucioni për një pjesëmarrje sa më të gjërë të të gjithë qytetarëve shqiptarë brenda apo jashtë vendit, të cilët plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara në ligj, që të aplikojnë për vendet vakante për: Anëtarë të Komisionit dhe/ose Gjyqtar të Kolegjit të Apelimit, si dhe Komisionerit Publik.