Bushati: BE të jetë më e pranishme në Ballkan

29.04.2017 12:35:24

Në Maltë, ku u mbajt takimi informal i ministrave të Jashtëm të të BE-së, ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati theksoi nevojën për një një prani të shtuar e BE-së në Ballkanin Perëndimor nën dritën e përshkallëzimit të situatës në Maqedoni.

“Një qasje e tillë do të kontribuonte në kapërcimin e tensioneve, të shkaktuara nga rezistenca ndaj reformave që lidhen me sundimin e së drejtës. Sundimi i ligjit nuk mund të sakrifikohet në altarin e stabilitetit.”, theksoi Bushati.

Në këtë takim ishin të ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve kandidate. Diskutimet u përqendruan mbi sfidat e sigurisë në Europë, zhvillimet e fundit në Maqedoni, si dhe mbi luftën kundër terrorizmit dhe nevojën për ndërveprim me vendet kandidate në këtë kuadër.

Ministri Bushati shprehu mbështetjen e vazhduar dhe linjëzimin e plotë të Shqipërisë me politikën e BE-së për adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë dhe evidentoi kontributin dhe qasjen parimore të vendit tonë  në përballjen e këtyre sfidave.

“Që Bashkimi Europian të ruajë influencën dhe rolin transformues në rajon, duhet që mbështetja për reformat e konsolidimit të shtetit ligjor të shoqërohet me instrumente që nxisin rritjen ekonomike”.

“Gjithashtu, siguria është e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimin. Për t’u përballur me sfidat komplekse të sigurisë duhet të përqendrohemi më shumë tek zhvillimi, ofrimi i mundësive ekonomike për rininë dhe përfshirja sociale”, u shpreh Bushati.