Çfarë do të thotë me të vërtetë barazia?!

04.12.2017 00:28:47

Nga: Thëllëzë Kastrati

Barazia është një nga termet më të dëgjuara në kohët e sotme. Duke filluar që nga sheshet e qyteteve, mediat, rrjetet sociale dhe kudo tjetër, shohim njerëz që kërkojnë trajtim të barabartë. Kërkimi i barazisë ka marrë përmasa të tilla sa të ndodhë ti dëgjosh dhe fëmijët që sapo kanë filluar të flasin të kërkojnë barazi.

Deri këtu gjithçka është pikërisht ashu si duhet të jetë. Të gjithë janë të barabartë, dhe nuk duhet të lejojnë në asnjë mënyrë të cënohet e drejta e tyre për barazi.Por përdorimi aq i shpeshtë i fjalës barazi ka ndikuar që ne të adaptohemi me të dhe për mendjen e shumicës prej nesh kjo fjalë nuk paraqet më ngacmim. Gjërat fillojnë vërtetë të ndërlikohen nëse tentojmë të kuptojnë se çfarë duan të thonë këta njerëz kur e përmendin barazinë?

Çfarë do të thotë me të vërtetë barazia?!

Nicholas Capaldi në “Kuptimi i Barazisë” e ka paraqitur barazinë si koncept deskriptiv dhe normativ. Si koncept deskriptiv barazia është nocion që do të thotë se të gjitha qeniet njerëzore janë në fakt të barabarta. Ndërsa koncepti normativ i barazisë thekson se fakti se të gjitha qeniet njerëzore janë të barabarta kërkon që të trajtohen në mënyrë speciale. Trajtimi në mënyrë speciale vartësisht nga rasti mund të nënkuptoj trajtim të njejtë dhe trajtim të veçantë.

  Njëra nga arsyet pse shoqëria e sotme është aq e pasuksesshme në ofrimin e trajtimit të barabartë për secilin individ, është se trajtimin e barabartë e sheh sikur trajtim të njejtë. Pra edhe pse i dimë diversitetet e shoqërisë, e dimë se njerëzit dallojnë si për nga aftësitë fizike dhe ato mendore. Ne përsëri i gjykojmë dhe i vlerësojmë të tjerët në bazë të kritereve të njejta. Si pasojë e këtij gjykimi ne formojmë qëndrime pozitive në raport me njerëzit me më shumë aftësi fizike e mendore, dhe qëndrime negative ndaj atyre me paaftësi të  caktuara fizike apo mendore. Ajo që nuk marrim parasysh është se njerëzit me aftësi fizike dhe mendore nuk kenë asnjë meritë për aftësit që iu dhanë, dhe ata me paaftësi fizike dhe mendore nuk kan asnjë faj për aftësitë që nuk iu dhanë. Andaj gjykimi ynë duhet të jetë i varur më shumë në arritjet e këtyre njerëzve në raport me aftësitë e tyre. Pra për një shoqëri ku të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë, është e nevojshme që përnjerëzit me nevoja të veçanta gjykimi të jetë i veçantë.

Nëse ne do të gjykonim në këtë mënyrë do të mund ta vërenim se pavarësisht se aftësitë e këtyre njerëzve janë të kufizuara, ata shpesh arrijnë maksimumin që kufizimet e aftësive të tyre u lejojnë ta arrijnë. Përkundër grupit tjetër të njerëzve të cilët në shumë raste nuk i shfrytëzojnë aftësitë që u janë dhënë, ose i shfrytëzojnë për të keq. Pos kësaj, këta njerëz shpesh ofrojnë më shumë dashuri dhe pasqyrojnë më shumë vlera njerëzore se sa njerëzit e tjerë. Në shumicën e rasteve njerëzit me paaftësi të ndryshme arrijnë më shumë të përmbushin potencialet e veta se sa njerëzit e tjerë, edhe pse jetojnë në një botë të cilën njerëzit e tjerë e kanë përshtatur për të përmbushur nevojat e veta, dhe në shumicën e rasteve nuk kanë menduar se është po e njeta botë në të cilën jetojnë dhe njerëzit me nevoja të veçanta. Në një botë ku gjykohen padrejtësishtë, fajsohen, izolohen dhe ndonjëherë dhe përqeshen e keqtrajtohen për aftësitë e tyre të kufizuara. Në një botë e cila nuk i jep dashurinë, respektin dhe vlerësimin që meritojnë. Në një botë e cila i sheh arritjet  tyre të pamjaftueshme për tu krenuar me ta. Pikërisht në botën e cila akoma nuk ka arritur ti shoh si pjesë e saj, dhe të barabartë me të tjerët./fokusi.org/