ÇIKA HASJANE”, ME NJË BUQETË LULESH TË FRESKËTA…

12.06.2019 13:50:01

Nga: Murat Gecaj

1.

Ndërkohë, që më kishte shkruar një mesazh në Fb, krijuesja e re Ganimete Thaçi, e njohur dhe “Çika Hasjane”, nëpër mend solla disa vite të kaluara. Ajo, sapo kishte ardhur në kryeqytetin tonë, nga vendlindja e saj, në rrethin verior të Hasit. Që  në vitet e shkollës, kishte shfaqur interes të lexonte krijimtarinë letrare të poetëve tanë. Ndërkaq, dhe tek ajo lindën ndjenjat e  dëshira, që dhe vetë të ulej e të shkruante. Frymëzim për të ishin bukuria e traditat e pasura të vendlindjes, ato atdhetare e liridashëse, por dhe arsimore e kulturore etj.

Duke përfituar nga lëvizjet e lira, në kohën e demokracisë, me familjarë të saj, Ganimetja erdhi në Tiranë. Tashmë, ajo kishte shkruar mjaft poezi të frymëzuara e plot ndjenja. Në rastin, që përmenda më sipër, kujtova se në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar organizohej një veprimtari, ku u bë përurimi i një libri të ri.  Atë e njoftova për ketë gjë dhe erdhi me dëshirë aty. Bile, kërkoi lejë dhe recitoi një poezi të bukur, para pjesëmarrësve, e cila u pëlqye e u duartrokit.

Frymëezimet e saj, Ganimetja i mblodhi në një libër të veçantë poetik, çfarë e renditi atë në radhën e krijueseve të reja. Kështu, libri  i parë  mbante titullin “Kërkoj vargun tim…”(Tiranë, 2013), me redaktor Lulëzim Hajdarin. Gjithashtu, pata kënaqësinë, kur unë  i redaktova librin e dytë me poezi, “Xhelozi e diellit”. Po asaj i lindi dëshira të punonte edhe në fushën e prozës. Pasi u njoh me jetën dhe veprimtarinë e shquar atdhetare e luftarake të Ali Ibër Nezës, nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), iu përkushtua mbledhjes së dokumenteve, shkrimeve e fotove të ndryshme etj., për t’i botuar në një libër të veçantë.

Ndihmesë të pakursyer i dha asaj, në këtë drejtim, dhe njohja e takimet me pasardhësin e tij, Halit Nezaj, i cili jetonte në Nju Jork dhe kthehej shpesh herë në Shqipëri, për t’u çmallur me vendlindjen e njerëzit e tij të afërm e të dashur.  Kësaj nisme ajo ia doli me sukses dhe, me redaktorë Dukagjin Hatën e Ndue Malajn, arriti të publikonte Antologjinë, “Ali Ibra, zëri i Atdheut…”(Tiranë, 2014).

Po, më tej, pasi punoi pak kohë infermiere në Spitalin Ushtarak, Ganimetja shkoi emigrante në Greqi, kur dhe kishte krijuar familjen e re  të saj. Megjithatë, Atdheu e tërhiqte atë si një magmnet i fuqishëm dhe u rikthyen në kryeqytet, tashmë  ajo nënë me dy vajza të vogla. Por e ndjente se kishte përsëri aftësi e forca, për t’iu përkushtuar botimeve. Këtë gjë Ganimetja ma shprehu sivjet, në një takim për kafe, te lokali “Galaxy”, aty ku fillon Bulevardi i Ri i kryeqytetit. E përgëzova sinqerisht për këtë nismë të re të saj, për të cilën do të kishte mbështetje nga kolegë krijues, jo vetëm për redaktimin e librit kushtuar jetës dhe veprimtarisë së gjerë të Halit Nezajt, por dhe ndihmë financiare, nga pasardhës të tij. Së bashku me Ganimeten shkëmbyem mendime për strukturën e këtij libri,  pasi dhe kisha patur rastin ta njihja atë e të takohesha, si në Nju Jork, por dhe në Tiranë. Bile, duke qenë pjesëmarrës në përurimin e një libri të tij, pata kënaqësinë të publikoja, në shtyp e internet, një shkrim timin modest.

2.

Sigurisht, me gjithë ngarkesën e punëve shtëpiake dhe në mirërritjen e dy fëmijëve, Ganimnete Thaçi vendosi që ta niste konkertisht  punën për përgatitjen e një libri,  kushtuar bashkatdhetarit Halit Nezaj, që u nda nga jeta, disa kohë më parë. Përveç komunikimeve përmes Fb-ut, ajo donte që përsëri të takoheshim dhe të vazhdonim shkëmbimin e mendimeve për këtë botim të ri. Kështu, bashkë me vogëlushen e saj, Selina, emër që ia kishte venë i ndjeri Halit, ajo erdhi përsëri në një takim me mua, për kafe. Por u befasova, kur e pashë atë të vinte me karrocën, ku kishte vogëlushen e saj, por dhe një buqetë me lule të freskëta.” Ua solla ju këtë buqetë  me lule të freskëta, nga kopshti im, profesor,-m’u drejtua ajo,-për të shprehur mirënjohjen, nderimin e respektin tim të veçantë, për mbështetjen që më keni dhënë e vijoni të më jepni, në fushën e krijimeve e botimeve të mia…”. Sigurisht, plot emocione, e falënderova atë përzemërsisht për këtë dhuratë kaq të bukur.

Në vazhdim të bisedës sonë, ku ishte i pranishëm  edhe miku im i pandarë, arsimtari veteran, krijuesi e botuesi i palodhur, Sejdo Harka, Ganimetja tregoi se materialet  e mbledhura i kishte ndarë në disa pjesë. Po libri do të dilete voluminoz, çka e bënte atë më të interesuaar të merrte mendime nga miq e dashamirë krijues. Në vijim të kësaj pune, ajo na tregoi se do të bënte një udhëtim të veçantë, për në qytetin e Gjakovës. Aty do të takonte një pasardhës të Nezajve, i cili do ta mbështeste atë, deri në botimin e kësaj vepre, jo vetëm voluminoze, por dhe në shumë kopje. Sepse Halit Nezaj kishte jetuar, si emigrant, në disa shtete të Europës dhe, së fundi, në Nju Jork, ku kishte mjaft miq e dashamirë të tij.

Me gjithë gjendjen jo aq të mirë shëndetësore, i premtova Ganimetes që, kur ta kishte bërë sistemimin e matërialeve për këtë libër, do t’i jepja mendimet e mia konkrete. Shpreha kënaqësinë që aty mund të jetë dhe recensioni im, i botuar për përurimin, në Tiranë, të një libri të Halit Nezajt. Ai mbante titullin “Halit Nezaj, nëpër “Udhën e ëndrrës së thyer”(Tiranë, gusht 2014.  Gjithashtu, i thashë asaj se jam i gatshëm të gjej një shtëpi  të mirë botuese, ku ajo mund ta dërgonte dorëshkrimin, për librin kushtuar jetës dhe veprimtarisë atdhetare e shoqërore të bashkatdhetarit tonë, Halit Nezaj.

U ndamë përzemërisht me Ganimete Thaçin (“Çikën Hasjane”), duke i uruar asaj shëndet e gjitha të mirat, si për veten, dy fëmijët e bashkëshortin. Por dhe ramë në një mendje, që do ta vazhdonim shkëmbimin e mendimeve, deri sa libri i mësipërm ta shohë dritën e botimit.

-Punë të mbarë dhe urime, për projektet e tua konkrete në fushën e botimeve, letrare e publicistike, mike e re krijuese Ganimete Thaçi!

Tiranë, 26 prill 2019