Dega e LDK-së në Prizren shpreh dyshime se tenderët po kurdisen nga krerë të PDK-së në Prizren!

17.07.2017 14:17:08

Dega e LDK-së në Prizren ka reaguar lidhur me dyshimet qëkanë të bëjnë me keqmenaxhimin e parasë publike, e më konkretist lidhur me tenderin për teleferikun për në Kala.

Sipas kësaj dege, ka dyshime se krerë lokalë të PDK-së janë takuar me kompaninë të cilës dyshohet se do t’i jepet tenderi për teleferikun për në Kala.

Kjo është komunikata e plotë e Zyrës për Informim e degës së LDK-së në Prizren:

Keqmenaxhimi i parasë publike në Prizren po degradon në masën e abuzimit të hapur të milionave të taksapaguesve, në tenderët që ne dyshojmë se po kurdisen hapur nga krerët e PDK-së në Prizren.
Sipas dyshimeve tona, përpara shpalljes së fituesit të tenderit që pritet të ndodh për teleferikun për në Kalanë e Prizrenit janë takuar krerët lokal të PDK-së me njerëzit e Kompanisë që dyshojmë se do të shpallet fituese.
Janë zgjedhjet lokale afër dhe Degës së PDK-së në Prizren e në qendër i duhen këta 1 milion Euro të koftrabanduara përmes marrëveshjeve të fshehta, për ta blerë votën edhe në zgjedhjet lokale, por Dega e LDK-së shprehet e vendosur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe do t’i deponojë në organet e drejtësisë të gjitha provat me qëllim të demaskimit të krimit.
Dega e LDK-së, kërkon nga kryetari i Komunës, që në fund të mandatit të tij, ta bëjë një akt në përputhje me aktet ligjorë, të cilat e rregullojnë punën e tij, por edhe në anën humane e qytetare duke mos lejuar abuzimin e 1 milion Eurove. Ai duhet ta shfrytëzoj autoritetin në mbrojtje të ligjit sepse ndryshe sipas ligjeve në fuqi ai është fajtori kryesor.
I’a kujtojmë opinionit dhe Ramadan Mujës se nga 3 firmat ofertuese, të cilat kanë konkuruar në këtë tender, i kanë dhënë këto tri oferta:
1. Ofertuesi i parë, Vlera: 2.411.138.08
2. Ofertuesi i dytë, Vlera: 3.296.098.00
3. Ofertuesi i tretë, Vlera: 3.465,316.65.
Tenderin sipas të gjitha zhvillimeve dyshojmë se do ta fitojë Kompania me ofertën mbi 1 milion Euro më të shtrenjtë, sipas informacioneve tona më ndërhyrjen direkte të krerëve të PDK-së.
I’a kujtojmë kryetarit Muja se do të jetë përgjegjës para ligjit edhe për tenderët tjerë të cilët janë shpallur me vlera milionëshe e ku absurdi shihet te shpallja e tenderit me titull: “Mbjellja e drunjëve dekorativ në Komunën e Prizrenit”, i cili mban vlerën e parashikuar prej 1 milion e 500 mijë Euro.
Pastaj, tenderi tjetër: “Riparimi i rrugëve me kubëza betoni dhe asfalt” me vlerë të parashikuar mbi 1 milion e 500 mijë Euro, ku dyshimet edhe këtu janë se PDK dëshiron të siguroj para për fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Dega e LDK-së në Prizren do të vazhdojë t’i monitorojë këta tenderë duke premtuar se në mbrojtje të parasë së qytetarëve do ta demaskojë krimin, që pritet të ndodh, prandaj kërkojmë nga Ramadan Muja që sa nuk është vonë të dal në mbrojtje të ligjshmërisë, sepse ndryshe ai do të jetë fajtori kryesor për humbjen e 1 milion Eurove të taksapaguesve prizrenas.
Departamenti për Informim i Degës së LDK-së
Prizren