Derbi i Manchesterit, Pep dhe Mourinho “kënaqen” me barazimin

28.04.2017 08:26:24

Nuk ka fitues dhe as gola në derbin e Manchesterit, ndalesa e dytë sezonale në kampionat për dy skuadrat e qytetit me një peshë të madhe në futbollin anglez. City dhe United ndahen në paqe duke ruajtur “status quo”-në në klasifikim me skuadrën e Guardiolës që mbetet në vendin e katërt me 1 pikë më shumë se djemtë e Jose Mourinhos. Një duel titanësh në fushën e blertë dhe në stol mes dy prej emrave më të njohur të trajningut botëror, por që përveç emocioneve dhe rasteve të shumta si ai i minutës së 9 ku Aguero humbi një rast ideal, nuk shkoi më shumë se barazimi.

United replikoi në të 25-ën me Mkhitaryan por armeni rezultoi i pafuqishëm për të bërë diferencën duke nxjerrë në pah edhe mungesën e cilësisë në skuadrën e Mourinhos pa Ibrahimovic dhe Pogba, dy liderët e kësaj skuadre. Sërish Aguero, por De Gea tregoi se përse është kthyer në një obsesion për presidentin e Realit, Florentino Perez. Reagim i shkëlqyer i spanjollit që ruajti portën të paprekur dhe i dha mundësinë Manchester United të tentonte golin e fitores në pjesën e parë kur Herrera nuk u tregua i saktë në sekondat e fundit. Me mbylljen e pjesës së parë u mbyll edhe sipari i kapitullit spektakolar pasi në të dytën skuadrat u treguan të kujdesshme për të mos pësuar dhe ia dolën mbanë duke lënë të hapur çështjen e vendit të katërt pasi tashmë dy skuadrat e Manchesterit do të duelojnë në distancë për biletën e fundit të UEFA Champions League. /supersport.al/