Detaji pikant i Grabitjes/ Rama e shkriu para një jave, por “Hetimi Tatimor” mësyu Rinasin

11.04.2019 15:03:49

Grabitja e 10 milionë eurove në aeroportin “Nënë Tereza” u realizua me një furgon të bardhë me logon “Hetimi Tatimor”, me të cilin ‘skifterët’ hynë në pistë morën mbi 7 thasë dhe u larguan në drejtim të Tapizës.

E teksa të gjithë u morën me detaje si maska e Admir Muratajt dhe kamerat e fikura të ICTS-së, gazetarja e kronikës Anila Hoxha na ka kujtuar me një postim në Facebook një detaj nga ngjarja që duhet t’i kishte shkundur autoritetet shtetërore.

“E kuptoj edhe përgjegjësinë e kinezëve. E kuptoj edhe “fajin e kanë ata”, e kuptoj edhe ushtrinë në Rinas, edhe heroizmin e policëve që rrezikuan jetën në ndjekje të kriminelëve grabitës. I kuptoj edhe grabitësit në çfarë “belaje” e kanë futur veten, si t’i shpenzojnë 10 milionë euro në Shqipëri e ku t’i investojnë. Por një gjë nuk kuptoj dhe s’ma rrok fare mendja. Nuk e kuptoj, kush po flinte teksa një makine me mbishkrimin “hetimi tatimor”, kaloi para syve të të gjithëve, në një kohë që Hetimi Tatimor ka një javë që u shkri dhe nuk ekziston!”, konstaton gazetarja e TCH.

Si është e mundur që “Hetimi Tatimor” shkatërroi sigurinë e Rinasit në 10 minuta, kur një agjenci e tillë as nuk ekziston më në Shqipëri?

Nëse kthehemi vetëm një javë pas në kohë dhe shohim deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendësit të tij Erion Braçe, kuptojmë se “Hetimi Tatimor” u shkri me vendim të Ministrisë së Financave për të ngritur një inspektoriat shtetëror për ekonominë, ku do të përfshihen tatimet dhe doganat.

Por çuditërisht në Rinas, as koncesionari dhe as agjentët e sigurisë të kompanisë private ICTS, nuk i kanë dëgjuar lajmet dhe nuk e dinin se agjencia ishte shkrirë dhe makinat me logon e “Hetimit Tatimor” tashmë s’qarkullonin më në rrugët e Shqipërisë.